Seria A

Ylli i Serisë A: Maradona është legjendë, unë jam i një niveli tjetër

Pierpaolo Marino, ish-drejtori sportiv i Napoli-t, ka thënë kohët e fundit se skuadra aktuale e Maurizio Sarri-t kujton atë magjike të Diego Armando Maradona. Ky mendim i Marino-s është mbështetur edhe nga shumë tifozë të Napoli-t që shikojnë te Dries Mertens një Maradonë të kohërave moderne, veçanërisht pas golit të shkëlqyer të realizuar kundër Lazio-s. Por në një intervistë të dhënë për “Guerin Sportivo”, belgu e ka hedhur poshtë krahasimin e sikletshëm:

“Më vjen mirë kur e bëjnë atë krahasim, por unë kam shumë respekt për Diego-n, – ka thënë Mertens. – Maradona është një legjendë dhe ka shkruar historinë e futbollit, unë jam i një niveli tjetër. Unë jam Dries, dua të qëndroj me këmbët në tokë dhe të ndihmoj skuadrën. Mund të bëhen krahasime me golat, por jo me lojtarët”. Në lidhje me eksperiencën e tij në Napoli: “Këtu futbolli është i pabesueshëm, njerëzit janë të çmendur pas këtij sporti. Më pëlqen shumë edhe stili i jetës. E adhuroj detin, klimën, adhuroj gjithçka. Më pëlqen të shëtis, të dal dhe të ha, të njoh njerëz të rinj”.

Më shumë nga Seria A