Volejboll

Ylli Tomorri optimist: Nëse luajmë si në Shkodër, Partizani del kampion

Skuadra e Partizanit në volejboll për meshkuj e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin sportiv 2017-2018, duke mundur 3-0 në Shkodër ekipin kampion të Vllaznisë, duke rrëmbyer jo vetëm 3 pikët e para në kampionat ndaj një rivali direkt, por edhe duke u hakmarrë për humbjen 2-3 në finalen e Kupës së Federatës. Paraqitja e skuadrës së “kuqe” në atë ndeshje ka kënaqur pa masë trajnerin Ylli Tomorri, që ka deklaruar: “Kampionati ka një tjetër vlerë krahasuar me Kupën e Federatës. Skuadra në shkodër luajti shumë mirë me të gjithë elementët e saj dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, do ta kemi të lehtë rrugën për të arritur objektivat”, tha trajneri i të kuqve, që këtë javë do të luajë ndaj Erzenit, ditën e diel në kryeqytet.

Trajneri i Partizanit ne volejboll per meshkuj, Ylli Tomorri

Dhe, kur shprehet për objektiva, trajneri Ylli Tomorri i referohet titullit kampion dhe Kupës së Shqipërisë, dy eventet më të rëndësishme të këtij sezoni. Nisja e mbarë e kampionatit dhe fitorja e lehtësi ndaj Vllaznisë në Shkodër lë të mendosh se kryeqytetasit kanë nxjerrë një leksion të mirë nga humbja në finalen e Kupës. “Jemi përgatitur shumë mirë për këtë kampionat, duke afruar edhe mjaft element të rinj e cilësorë, që i kanë dhënë një fytyrë të re skuadrës. Unë besoj te ky grup, për të realizuar objektivat që i kemi vënë vetes”, u shpreh më tej trajneri Ylli Tomorri, në sezonin e tij të dytë me skuadrën e “kuqe” pas një jete si drejtues i Studentit.

Më shumë nga Volejboll