Futboll

Zbulohen “kapanonet” ku do të strehohet Messi

Ekipi përfaqësues i Argjentinës ka që tashmë një shtëpi në Rusi. Federata Argjentinase e Futbollit dhe FIFA po punojnë kundër kohës mbi reformat në Qendrën Stërvitore të Bronnitsy, në mënyrë që ambientet e saj të jenë në dispozicion të miqve bardhekaltër gjatë Kupës së Botës Rusi 2018. Kompleksi stërvitor lokalizohet 55 kilometra larg Moskës, dhe është prenotuar nga Federata Argjentinase që në qershor nga menaxheri i ekipit përfaqësues, i cili propozoi edhe një plan rinovimi, me synim përmirësimin e infrastrukturës.

Në një distancë prej 35 minutash nga Aeroporti Zhukovsky i Moskës, dhe 10 minuta nga qendra e qytetit, kompleksi zë një sipërfaqe prej 9 800 metra katror me pamje nga liqeni Belskoe. Pjesë e qendrës stërvitore është edhe një hotel me 50 dhoma standard, restorant, një qendër shëndetsore dhe rekreacioni, salla konferencash, tre palestra, dhomë lojrash, pishinë, dy vaska Jacuzzi, tre sauna, dhe një zonë relaksi në brigjet e lumit të Moskës, i cili përshkron qytetin e themeluar në 1453 me rreth 22,000 banorë.

Trajneri Jorge Sampaoli ka kërkuar që fusha stërvitore në dispozicion të jetë me bar natyral dhe Federata bashkë me FIFA po punojnë për riparimin edhe të një fushe tjetër me bar sintetik, si dhe për rregullimin e dhomave të zhveshjes, si dhe të sallës së konferencave që do të mirëpresë 100 gazetarë. Punimet parashikohet të përfundojnë gjatë muajve shkurt-mars të vitit të ardhshëm, ndërkohë që një delegacion i Federatës Argjentinase do të vizitojë ambientet e kompleksit për të dhënë aprovimin final për marrjen në përdorim të asaj që do të jetë shtëpia e Messi dhe delegacionit argjentinas, gjatë qëndrimit në Rusi.

Më shumë nga Futboll