Futboll

Zbuloni trajnerin më të mirë të vitit 2016!

Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS) ka publikuar si për çdo vit klasifikimin e trajnerëve më të mirë në botë për klube. Surpriza nuk mund të ketë, sepse në 365 ditët e 2016-s të gjithë e dinë se kush kanë qenë strategët më të mëdhenj në botë. Lista nis me mjeshtrin e Atletico Madrid-it, Diego Simeone, i cili ka fituar 113 pikë. Argjentinasi nuk ka fituar asnjë trofe, teksa ka arritur deri në finalen e Ligës së Kampionëve, por ecuria e tij me një ekip pa shumë yje (ndryshe nga Barcelona, Real Madrid, Bayern München apo Manchester United) tregon se është një trajner i cili mund të bëjë ndryshimin vetëm me punë.

Në vend të dytë renditet Zinedine Zidane (108 pikë), i cili me Real Madrid-in sivjet ka fituar çdo trofe të mundshëm ndërkombëtar. Ai nuk pati sukses në La Liga, por arriti të triumfojë në Ligën e Kampionëve, sukses që u shoqërua me fitimin e Superkupës së Evropës dhe Botërorit të klubeve. Gjithsej, francezi deri tani ka regjistruar 36 ndeshje radhazi pa humbje. Ndërkohë, në podium ngjitet ai i cili nuk mund të mungonte kurrsesi, Claudio Ranieri, i cili ka 86 pikë. Italiani bëri mrekullinë te Leicester City, duke fituar Premier League-n me një ekip i cili pritej që të rrëzohej në Championship.

Renditja 2016

1. Diego Simeone (Atletico Madrid) 113 pikë
2. Zinedine Zidane (Real Madrid) 108 pikë
3. Claudio Ranieri (Leicester) 86 pikë
4. Josep Guardiola (Manchester City) 62 pikë
5. Unai Emery (Paris SG) 38 pikë
6. Luis Enrique (Barcelona) 24 pikë
7. Jürgen Klopp (Liverpool) 16 pikë
8. Mauricio Pochettino (Tottenham) 15 pikë
9. Massimiliano Allegri (Juventus) 6 pikë
10. Pitso Mosimane (Mamelodi S.) 5 pikë
11. Arsène Wenger (Arsenal) 4 pikë
12. Leonardo Jardim (Monaco) 3 pikë
13. Olivier Blanc (Paris SG) 3 pikë

 

 

 

Më shumë nga Futboll