Kategoria Superiore

Ze Maria me “shkop” në dorë, Tirana fillon “nxehjen” për maloren!

Ze Maria me “shkop” në dorë, Tirana fillon “nxehjen” për maloren!

Fitorja me Luftëtarin çliroi Tiranën duke i dhënë besim gjithë grupit. Tre pikët e javës së katër të Superligës, kundër gjirokastritëve, kanë një vlerë të dyfishtë për skuadrën bardheblu. E para se pas tre ndeshjesh, Tirana merr fitoren e parë në kampionat pas rikthimit në Superligë.

Dhe e dyta, ekipi ka nisur të konsolidohet dhe golat po vijnë. Ndaj Luftëtarit u realizua dhe një “profeci” e trajnerit Ze Maria, që tha në nisje të kampionatit se Tirana e vërtetë do të dukej pas javës së tretë. Por a do të mbetet ky parashikim deri në fund?!

Sfida e së vërtetës është ajo me Skënderbeun në transfertë në fundjavë. Të vetëdijshëm për takimin që i pret, të besuarit e trajnerit Ze Maria kanë nisur përgatitjet edhe për këtë sfidë. Pas të hënës  që u bë pushim nga skuadra, e marta e ka gjetur grupin të gjithin të bashkuar. Në “Skënder Halili”, Ze Maria ka mbledhur të tijët dhe ka nisur thurjen e planeve për “betejën” ndaj Skënderbeut.

Seanca stërvitore e kësaj të marte sihte intensive. Grupi ka marrë ngarkesë të plotë dhe ka kryer jo vetëm ushtrime aerobike, por edhe veprime taktiko-teknike në fushën e lojës. Motivimi para një sfide si ajo me Skënderbeun është maksimal, ndonëse mungesa e rezultateve deri në javën që kaloi, krijoi jo pak presion në skuadër.

I gjithë grupi ka qenë në dispozicion të trajnerit për nisjen e përgatitjeve, me përjashtim të Hoxhallarit, që ndaj Luftëtarit u ndëshkua me dy të verdhë dhe nuk do të luajë në sfidën e ardhshme. Janë dy javë “ferri” ato në vijim, pasi pas Skënderbeut, kryeqytetasit duhet të përgatisin derbin ndaj Partizanit në javën e gjashtë. Ndaj përqëndrimi në kampin bardheblu është maksimal në këtë moment.

Më shumë nga Kategoria Superiore