Futboll

Ze Maria: “Nuk është akoma Tirana që synoj, Doka të mësohet me disiplinën!”

Me Tiranën që fitoi falë një goli të realizuar nga jashtë zone nga Mavej në minutën e 79’, me bardheblutë që rezervuan një performancë shumë larg asaj që dhuruan pak ditë më parë në finalen e Superkupës së Shqipërisë të fituar përballë Kukësit kampion në fuqi të Shqipërisë, trajneri i ekipit më të titulluar në Shqipëri, Ze Maria deklaron se skuadra e tij nuk është ende te pritshmëritë e tij. Trajneri brazilian i Tiranës, ndonëse nuk ka dhënë detaje mbi vendimin e tij për të lënë në tribunë zbulimin e sezonit të kaluar të bardhebluve, Albi Doka, ka pranuar: “Ishte vendim personal i imi. Doka duhet të mësohet me disiplinën në klub”.

“Për ne ishte shumë e rëndësishme ta nisnim me fitore dhe tre pikë, pasi e dimë se do të jetë shumë e vështirë në këtë kampionat dhe duhet të bëjmë sa më shumë pikë që të jetë e mundur në shtëpi. Ishte një ndeshje e vështirë, nuk e njihja shumë ekipin e Ilirisë, por në vazhdim do të njoh më shumë lojtarët dhe ekipet në këtë kampionat. Kjo nuk është akoma Tirana që synojmë, ajo e 100km/orë, edhe për faktin se të gjitha ekipet e vogla do të mundohen të luajnë fort kundër nesh. Gjithsesi, Tirana do të mundohet të fitojë në çdo mënyrë. E dimë që do të luajnë më shumë në mbrojtje ndaj nesh. Do të jetë shumë e vështirë, pasi kundërshtarët, edhe më të vegjlit, vrapojnë shumë”, deklaroi trajneri i Tiranës, Ze Maria.

Më shumë nga Futboll