Europa League

Ze Maria optimist: Të luajmë me zemër, kemi shanset tona

Diferenca mes dy ekipeve dhe rezultati 2-0 i arritur në ndeshjen e parë në Izrael, favorizon dukshëm Maccabi-n për të kaluar në turin tjetër. Megjithatë trajneri i Tiranës, Ze Maria shfaqet optimist në konferencën për shtyp. “Ne do të luftojmë për të fituar, edhe pse nuk do të jetë e lehtë, do të jetë shumë e vështirë. Kemi provuar gjithçka gjatë javës. Do të jetë e vështirë edhe për ata, sepse ata në ndeshjen e parë na ndëshkuan vetëm në dy gabimet tona. Do të përpiqemi që të shënojmë minimalisht dy gola që t’ia dalim. Por le të shohim se çfarë do të ndodhë në fushë”.

“Kundër Maccabi-t e dimë se duhet të luajmë me gjithë zemër dhe duhet të bëjmë gjithçka. Ata janë të fortë, por ekipi im e di se ka besimin tim”.

“Çfarë dua unë nga skuadra? Dua që të luajnë futboll të mirë. Duhet të luajmë në mënyrën braziliane, pra duhet ta dashurojmë futbollin. Nesër kundër Maccabi-t e dimë se duhet të luajmë me gjithë zemër dhe duhet të bëjmë gjithçka. Ata janë të fortë, por ekipi im e di se ka besimin tim, sepse unë besoj shumë tek lojtarët e mi. Ne kemi një projekt të qartë, por ama këto dy javë kemi punuar vetëm për këto ndeshje. Do të provojmë më pas edhe mënyra të ndryshme për t’u përgatitur. Por për nesër ne kemi shanset tona dhe do të tentojmë gjithçka”, tha ish-futbollisti i Brazilit.

Image may contain: 2 people, people smiling, people playing sports and outdoor

Një temë e nxehtë në kampin bardheblu është edhe ajo e merkatos, me disa lojtarë që kanë oferta serioze. “Flitet shumë për merkaton, por unë u kam kërkuar lojtarëve që të qëndrojnë këtu. Disa të rinjve zërat e merkatos nuk u bëjnë mirë. Po ju marr si shembull Dokën, për të cilin flitet se mund të shkojë në ndonjë klub të madh… Janë lojtarë të rinj dhe unë shpresoj që të qëndrojnë me ne. Gjithsesi është klubi ai që mendon për të tashmen dhe për të ardhmen. Në karrierën time kam parë shumë futbollistë të talentuar që kanë çuar dëm karrierën sepse kanë dashur të hedhin hapa të mëdhenj pa i studiuar mirë. Ndaj unë i kërkoj Dokës dhe të tjerëve që t’i marrin gjërat hap pas hapi dhe të qëndrojnë këtu. Daja? Ai është në planet e mija”.

Image may contain: 1 person, outdoor

I pyetur se sa shanse ka Tirana kundër Maccabi-t, Ze Maria fillimisht tha se pse ka humbur besimi te kjo skuadër. “Unë për vete kam shumë besim. E kam thënë edhe para një jave, por po ua them sërish po ju them se kur isha lojtar i Kombëtares me Brazilin na ka mundur Nigeria në vitin 1996. Atëherë kishim lojtarë të mëdhenj si Aldair, Bebeto, Ronaldo, Ze Maria etj., por ja që humbëm… E respektoj shumë Makabin, por nuk e kam frikë. Nuk jemi përgatitur për pushime pas ndeshjes së nesërme. Jemi përgatitur për të vazhduar, megjithatë duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë”.

“Çfarë na duhet për nesër? Na duhet edhe pak mbështetje nga media. Çfarë ka ndodhur në të kaluarën duhet ta lëmë pas krahëve. Futbollistët kanë nevoje për mbështetje në prag edhe të këtij sezoni të ri. Duhet një bashkëpunim i gjerë mes stafit, klubit, tifozëve, por edhe mediave”, shtoi 43-vjeçari. Në fund edhe një batutë për temperaturat e larta: “Këtu është më tepër vapë se në Afrikë”.

Më shumë nga Europa League