Futboll

Ze Maria: “Preferoj rezultatin, mbi lojën e bukur”

Pas një starti pozitiv, që kulmoi me fitimin e Superkupës së Shqipërisë, përballë kampionëve në fuqi, Kukësit, pasuar me fitoret në kampionat dhe në Kupën e Shqipërisë, skuadra e Tiranës synon të vijojë me të njëjtin ritëm ecurinë në këtë edicion të vështirë, në një kompeticion inferior. Në vigjilje të sfidës së parë në transfertë në këtë kampionat të Kategorisë së Parë, që do të diskutohet në Pogradec, trajneri brazilian i bardhebluve, Ze Maria parashikon një duel të vështirë dhe po aq të rëndësishëm për 24 herë kampionët e Shqipërisë. Pikërisht për këtë arsye, Ze Maria apelon për sigurimin e rezultatit pozitiv, më shumë se për realizimin e një loje të bukur.

Image may contain: 1 person, playing a sport and outdoor

“Jemi në prag të një sfide shumë të rëndësishme dhe të vështirë, pasi përballë kemi një skuadër që luan shumë mirë. Gjithsesi, unë ritheksoj se Tirana është Tirana. Është skuadra më e madhe në Shqipëri dhe luan për të fituar në çdo ndeshje, dhe jo vetëm në këtë kampionat. Është e rëndësishme për ne që në këto momente të mendojmë më shumë për të marrë rezultat, se për  lojën e bukur. Për më tepër që jemi në fillim të sezonit. I grumbulluar për këtë transfertë do të jetë edhe Binguila, i cili është një lojtar më cilësi të mëdha, që mund të na japë një dorë. Mbetet për tu vlerësuar nëse do ta nisë si titullar, por është e sigurtë që do të ketë minuta në dispozicion. Shpresoj që tifozët të mbështesin skuadrën në stadium. Kjo është kërkesa ime për ata”, deklaroi ndër të tjera trajneri i Tiranës, Ze Maria.

Më shumë nga Futboll