Kampionati Shqiptar

Ze Maria: Tirana ka mundësi për t’u rritur akoma më shumë

Ze Maria, trajneri i Tiranës, ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka bërë prognozën e tij për ndeshjen e radhës në kampionat, ndaj Shkumbinit, por u është përgjigjur edhe pyetjeve të ndryshme të gazetarëve. Në fjalën e tij, ndër të tjera, braziliani ka nënvizuar: “Nesër na pret ndeshja e radhës në kampionat. Jemi përgatitur si skuadër për të luajtur sa më mirë dhe marrë tri pikët. E dimë se nuk do të jetë një formalitet. Shkumbini ka fituar dy nga tri ndeshjet e luajtura në kampionat. Në renditje është 3 pikë pas nesh. Di që kundërshtari i nesërm lufton fort dhe vrapon shumë, sidomomos në shtëpinë e vet. E shfrytëzon shumë faktorin-fushë. Prandaj, duhet të jemi më të “këqinj” se ata, për të marrë më të mirën nga kjo sfidë. Tiranës, si përherë, i duhet mentalitet fitues, sepse vetëm kështu mund të marrim atë që duam.

Eshtë një ndeshje e rëndësishme për ne, duam fitoren, sepse duhet të ecim me ritmin e duhur. Që kur kam ardhur kam folur për objektiva: për të fituar Superkupën, për t’u rikthyer në Superiorë dhe për të fituar Kupën e Shqipërisë. Për momentin kemi fituar Superkupën, po paraqitemi mirë në kampionat, jemi të kualifikuar në raundin përkatës të Kupës së Shqipërisë. Ama, kjo skuadër ka mundësi për t’u rritur akoma më shumë. Tashmë, pa diskutim që Tirana është skuadra ime. Skuadra ka marrë nga unë mentalitetin që kam: duke respektuar kundërshtarin, punojmë për të fituar gjithmonë. Çfarë kam konstatuar në Kategorinë e Parë këtu në Shqipëri? Eshtë një kampionati i fortë fizikisht, ku mungon cilësia teknike. Kam ndjekur edhe Kategorinë Superiore, kam parë disa ndeshje dhe mund të them që diferenca mes këtyre dy kampionateve është në aspektin teknik”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar