Futboll

“Zgjohet” Skënderbeu, dy afrime në një ditë për korçarët

Nuk është ai Skënderbeu që ishim mësuar të shikonim në vitet e fundit, që merrte gjithmonë lojtarët më të mirë të kampionatit dhe që sillte nga jashtë futbollistë të cilët bënin diferencën. Por edhe pse në vështirësi nga dënimi i UEFA-s, tek Skënderbeu nuk kanë ndërmend që të heqin dorë kaq lehtë. Pas disa rinovimeve me lojtarë titullarë të sezonit të shkuar, Skënderbeu ditën e premte ka zyrtarizuar dy afrime në këtë merkato. Bëhet fjalë për dy futbollistë të rinj që kanë firmosur për korçarët, Zenel Gavazaj dhe Mohammad El-Kayed. Lajmi është zyrtarizuar nga vetë klubi përmes një njoftimi për mediet, ku thuhet, “Zenel Gavazaj dhe Mohammad El-Kayed, janë zyrtarisht futbollistë bardhekuq. Të dy lojtarët kanë mbërritur sot në Korçë ku pas prezantimit zyrtar janë vendosur nën urdhrat e trajnerit Orges Shehi”.

Të dy futbollistët ,në fjalët e para si lojtarë të Skënderbeut janë shprehur mjaft të kënaqur me këtë zgjedhje, duke garantuar se do të japin gjithmonë maksimumin për skuadrën korçare. Lojtarët janë të dy me kontrata afatgjata te Skënderbeu dhe do të shpresohet që të tregojnë aftësitë e tyre të plotë që më pas të tentohet në ndonjë shitje eventuale. Zenel Gavazaj është vetëm 18 vjeç, pjesë e rregullt e kombëtares kuqezi Under-19. Ai mund të luajë mjaft mirë me të dyja këmbët dhe është vëllai i vogël, Enis Gavazaj që u aktivizua për disa vite te Skënderbeu. Ndërkohë Mohammad El-Kayed, 21 vjeç, është me nënshtetësi suedeze, pjesë e ekipit përfaqësues Under-23 të Palestinës dhe luan si mesfushor organizator. Këta dy lojtarë nuk pritet të jenë të fundit që do të firmosin këtë merkato vere për Skënderbeun. Skuadra juglindore edhe pse në vështirësi po tenton që krijojë një grup kompakt dhe pretendent për sezonin që vjen.

Përgatiti: Ardit Hoxha

Më shumë nga Futboll