Kampionati Shqiptar

Zhbllokohet Ekuban, rikthehet Mazrekaj, fiton Partizani

Starova i ka “përzier letrat” që në start, në rikthimin e tij në krye të Partizanit, prej nga kishte ikur fundvitin e kaluar. Në transfertën e luajtur sot, prej orës 14:00, në Laç, të kuqtë ishin të vendosur jo pak ndryshe në fushën e blertë.

LAÇI – PARTIZANI  0-2
Golat: Ekuban 45’, 65’
Laçi: Selmani, Musaj, Lulaj, Qaqi, Shala, Çelhaka (Malindi 50’), Lushkja, Toski, Perikles, Bruno Anjelo, Bruno Akuino (Rodrigezit. 67’). Trajner: R.Ndreu
Partizani: Hoxha, Fejzullahu, Krasniqi, Atanda, Ibrahimi (Bardhi 80’), Batha, Trashi, Vila, Torasa (Mazrekaj 86′), Ekuban, Fili. Trajner: S.Starova
Gjyqtar: Lorenc Jemini
Kartonë të verdhë: Lushkja 12’, Pinto 55’, Malindi 71’, Toski 80′ / Vila 10’

Zhbllokohet Ekuban, rikthehet Partizani. Starova e nis me fitore

Starova i ka “përzier letrat” që në start, në rikthimin e tij në krye të Partizanit, prej nga kishte ikur fundvitin e kaluar. Në transfertën e luajtur sot, prej orës 14:00, në Laç, të kuqtë ishin të vendosur jo pak ndryshe në fushën e blertë. Me modulin 4-3-3, 15 herë kampionët e vendit kishin vënë në majë të sulmit Filin, që me Sormanin qëndronte në stol, ndërsa nga dy krahët, po në këtë repart, luanin Ekuban dhe Torrasa (nga e djathta në të majtë). Batha në qendër të mesfushës, ndërsa nga krahët patrullonin, me detyra offensive, Vila dhe Trashi (nga e djathta në të majtë). Vetëm porta dhe mbrojtja nuk kishte pësuar ndryshime, krahasuar me Partizanin e Sormanit. Hoxha në portë dhe para tij katërshja Ibrahimi-Krasniqi-Atanda-Fejzullahi. Jashtë 18-shes ka mbetur italiani Bertoni, që duket se do të ndjekë gjurmët e trajnerit të larguar. Në stol figuronte për herë të parë, pas dëmtimit, Mentor Mazrekaj.

Zhbllokohet Ekuban, rikthehet Partizani. Starova e nis me fitore

Ndeshja – Loja nis me sulme dhe kundërsulme, me të dyja skuadrat në kërkim të golit. Më kërkues janë të kuqtë, që i detyrojnë vendësit të shtrëngojnë radhët në prapavijë. Minuta e dytë dhe Partizani rrezikon me një goditje dënimi të fortë, që ekzekutohet nga Batha. Slemani grushton jo pa vështirësi. Në minutën e 9-të del në pah Torasa, i cili ndërmerr një inkursion personal, nga e majta e sulmit kryeqytetas. Pengohet në zonën kurbinase, por kryesori Jemini nuk bindet për penallti. Protesta të kota të argjentinasit. Në minutën e 25-të, Ekuban driblon disa lojtarë kurbinas dhe e pason topin final për te Torasa, që është i lirë në zonën vendëse. Argjentinasi nuk është vigjilent, duke e lejuar topin t’i ikë nga këmbët në fundore. Një mundësi e mirë për “demat”, por e pashfrytëzuar. Goditja e parë e Laçit drejt portës së Hoxhës vjen në minutën e 30-të. Drilon Hysaj provon nga distanca, por pa shënjestrën e duhur. Dhjetë minuta më pas është Faton Toski, ai që godet me të djathtën, duke e vënë në provë për herë të parë Alban Hoxhën, që pret pa problem.

Zhbllokohet Ekuban, rikthehet Partizani. Starova e nis me fitore

Dhe vjen fundi i pjesës së parë. Minuta e 45-të: Kundërsulm perfekt i të kuqve, teksa Torasa del me shpejtësi nga gjysmëfusha e vet, përparon me topin disa metra. E ndjek Ekuban, tek i cili mbërrin topin në fund. Numri 45 i të kuqve shmang edhe portierin Selmani dhe shënon. Goli i tij i parë me të kuqtë, por edhe i pari i kësaj ndeshjeje. Pesë minuta pas fillimit të pjesës së dytë, Ramadan Ndreu vendos të hedhë në fushë Malindin për Celhakën. Synimi i trajnerit të bardhezinjve është forcimi i sulmit, në kërkim të barazimit. Trashi godet fuqishëm në minutën e 54-t, por Selmani grushton me vështirësi. Në minutën e 62-të, Starova vendos të sakrifikojë një sulmues, Filin, për një mesfushor, duke dashur ta mbajë larg kundërshtarin, që me kalimin e minutave shtojnë përpjekjet për të barazuar rezultatin.

Zhbllokohet Ekuban, rikthehet Partizani. Starova e nis me fitore

Në fushë hidhet Ramadani, i cili vendoset përkrah Bathës, duke bërë “filtrin” e bardhezinjve. Tashmë të kuqtë tentojnë të gjejnë golin e dytë e të sigurisë përmes kundërsulmit. Ekuban ripozicionohet në qendër të sulmit, aty ku shënon me kokë, pas një këndoreje, në minutën e 64-t. Dopietë personale për numrin 45 të të kuqve, që duket se është zhbllokuar tashmë. Pjesa e mbetur e ndeshjes vijon të jetë e luftuar, por bardhezinjtë nuk janë në gjendje të rihapin duelin, ndërkohë që “demat” administrojnë me qetësi e pragmatizëm avantazhin, duke e mbyllur gjithçka me fitoren 2-0. Starova e nis mbarë rikthimin në stolin e Partizanit, duke u pozicionuar në vendin e dytë, në kuotën e 11 pikëve, 7 të tilla më pak se kryesuesit e Skënderbeut. Ai i jep mundësinë e rikthimit në fushë edhe Mentor Mazrekajt, si për të thënë se ka nisur edhe rikthimi i kohezionit në grupin e kuq. Një mundësi edhe për tifozët, që bërtasin në kor emrin e idhullit të tyre, në minutën e 86-të, kur shkeli në barin e blertë të fushës.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Kampionati Shqiptar