Premier League

Zhgënjen Chelsea, merr një barazim të pamerituar në “Stamford Bridge”

Leicester ka arritur të zhvillojë një paraqitje mbresëlënëse në Stamford Bridge ndaj Chelsea-t por pa mundur të fitojë teksa rezultati në fund ishte vetëm 0-0. Vizitorët arritën të dominonin ndeshjen megjithëse pritej krejt e kundërta. Dhe madje edhe kur ishin një lojtar më pak nuk e humbën vetëbesimin duke marrë një pikë në fushën e vështirë të Chelsea-t.

Vendasit nuk e nisin si zakonisht ndeshjen. Të besuarit e Antonio Conte-s janë tepër të ngadaltë dhe kjo për meritë të padiskutueshme të Leicester. Skuadra vizitore është ajo që kontrollon ndeshjen dhe arrin të rrezikojë më tepër skuadrën kundërshtare, por shumica e goditjeve janë nga distanca dhe jashtë porte. Mundësi të mirë kishte Ndidi por goditja e tij me kokë u prit mrekullisht nga Courtois.

Edhe pas pushimit situata nuk ndryshoi. Puel nënshtroi Conte-n taktikisht dhe italiani vendosi të reagonte pa kaluar as një orë lojë duke futur në fushë Willian dhe Pedro për Fabregas dhe Hazard. Por situata nuk ndryshon dhe vetëm pas kartonit të kuq të Chilwell ndeshja bëhet më e barabartë. Chelsea nuk arrin të dominojë dhe duhet të kënaqet me një pikë, të pamerituar. Me këtë barazim Blutë qëndrojnë në vend të tretë ndërsa Leicester ndodhet në një pozicion të rehatshëm pas ecurisë së keqe në fillim të sezonit.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Premier League