Volejboll

Zhgënjim, kombëtarja e femrave humbet ndaj Austrisë

Fitorja e tri ditëve më parë në Gjeorgji dhe loja e mirë e zhvilluar në Tbilisi, ku kombëtarja e femrave në volejboll mundi 3-0 kombëtaren vendase, janë vite dritë larg nga paraqitja e sotme e vajzave kuqezi të rrjetës, që u mundën 0-3 në “Feti Borova” nga Austria. Kjo ishte ndeshja e dytë në Grupin B për kombëtaren e femrave, e vlefshme për edicionin 2018 të Ligës së Europës.

Një Shqipëri e përgjumur, me shumë gabime në sulm, pritjen e topit të parë, bllok e organizim. Një kombëtare e çoroditur, që zhgënjeu në fushë si veten e saj ashtu dhe fansat e shumtë që kishin ardhur për ta mbështetur. Fitorja e dytë radhazi, siç pritej sonte, nuk erdhi dhe tashmë për Shqipërinë ndërlikohen pozitat për t’u kualifikuar më tej.

Të trija setet ishin mjaft të dobta në lojë për vajzat kuqezeza, të dominuara nga rivalet austriake, që shkëputeshin me shumë lehtësi, duke përfituar edhe nga gabimet e shumta që bënin volejbollistet shqiptare. Te Shqipëria sot mungoi lojtarja lider, që të organizonte lojën dhe të sulmonte, ndaj dhe humbja ishte e paevitueshme për mënyrën se si vajzat kuqezi u paraqitën në fushë.

Setet u fituan me diferenca pikësh nga Austria, 25-18, 25-17 dhe 25-21, që korri fitoren e dytë në Grupin B të Ligës së Europës dhe kryeson renditjen. Ndërsa Shqipëria bën një hap pas, duke pësuar humbjen e parë në grup. Pas 3 ditësh, ndeshja e radhës në grup në Izrael, ndaj kombëtares vendase.

Shqipëri – Austri 0-3 (18-25, 17-25, 21-25)

SHQIPËRIA: Bici, E.Tuci, Xheka, Marina, Prenga, Thaka, Picaku, Sejfullai, Rexhepi, Kushi, Sijoni, M.Tuci, Shehi, Dodani. Trajner: Altin Martiri

AUSTRIA: Duvnjak, Teufl, Bajde, Ëallner, Holzer, Epure, Chrtianska, Deisl, Peischl, Maros, markovic, Schmit, Nesimovic. Trajnere: Svetlana Ilic

Gjyqtarë: Arzu Emiroglu (Turqi), Endri Zguri (Shqipëri)

Më shumë nga Volejboll