Champions League

Zidane-Ancelotti, kur nxënësi përballet me mësuesin

“Ky është maksimumi i futbollit. Ta shijojmë!”

Kështu u shpreh sot drejtuesi ekzekutiv i Bayern-it, Karl-Heinz Rummenigge, porsa mori vesh se kundërshtari çerekfinalist në Ligën e Kampionëve do të jetë Real Madrid. Kjo është një klasike evropiane dhe ka miliona arsye për ta pritur me padurim, por një detaj elegant i cili ia shton bujën është përballja e trajnerëve, Carlo Ancelotti dhe Zinedine Zidane. Një nga imazhet më epike të finales së vitit 2014, kur madrilenët fituan “La Decima”-n, ishte ai kur francezi u bërtiste lojtarëve, teksa Ancelotti, trajneri kryesor i skuadrës e cila do të shpallej kampione Evrope, thjesht e shihte në sfond.

Viti 2014, kur Real Madrid kishte dy magjistarë në stol

Tani Zidane nuk është më asistent i italianit dhe Don Carlo drejton kampionët e Gjermanisë. “Ne duam Champions-in”, – u shpreh ai sot. Çfarë i bashkon ata? Epo, rruga drejt lavdisë, më saktë drejt qytetit Cardiff, aty ku më 3 qershor do të zhvillohet finalja. 57-vjeçari kërkon të bëjë historinë duke fituar trofeun e katërt evropian dhe për këtë duhet të nxjerrë jashtë loje ish-skuadrën e tij. Kujtimet e fundit si madrilen italiani i ka madhështore, sepse para tre vitesh shkatërroi 4-0 Bayern-in e Pep Guardiolës. Atë natë Xabi Alonso ishte pjesë e “Galaktikëve” dhe për të gjithashtu do të jetë një rikthim si “ish”.

Më shumë nga Champions League