Futboll

Zidane “prenoton” dy yje nga Premier League për 2018-n

Zidane “prenoton” dy yje nga Premier League për 2018-n

E fiton apo jo Ligën e Kampionëve për të tretën herë radhazi, kjo nuk ndikon në politikën e merkatos së Real Madridit. Sipas asaj që shkruan “Don Balon”, klubi madrilen po bën gati dy blerje të mëdha për verën e ardhshme.

Të përzgjedhurit e trajnerit Zinedine Zidane janë portieri David de Gea (Manchester United) dhe mesfushori Eden Hazard (Chelsea). Si, janë shumë të kushtueshëm? Sigurisht, por tregu ka kaluar çdo kufi, ndërkohë që kampionët e Evropës kanë kursyer shumë në dy vitet e fundit. Përveç kësaj, mos vallë i ka problem paratë Florentino Perez?

Eden Hazard mund të kushtojë rreth 200 mln euro, duke ndjekur çmendurinë e merkatos së verës që lamë pas

Siç është shkruar shpesh në medie, Real Madridi i ka kërkuar prej kohësh këta yje, por ka hasur vështirësi në blerjen e tyre. Për shembull, në verën e vitit 2015, De Gea mbeti në Angli vetëm për çështje proceduriale, sepse klubet e kishin arritur marrëveshjen. Ndërkaq, Hazard përflitet se thjesht po pret një telefonatë nga Zidane dhe është gati për të lëvizur. Belgu e ka idhull trajnerin.

Ajo që dihet me siguri është se në “Santiago Bernabeu” në vitin 2018 ofensiva do të përmirësohet me një emër të madh. Cristiano Ronaldo është në fundin e karrierës, Gareth Bale vuan shumë nga dëmtimet, kurse Karim Benzema nuk e ka mbështetjen e tifozëve.

Më shumë nga Futboll