Futboll

Zlatan: Kam më shumë gola unë se ndeshje ai

Betejën e zhvilluar në fushë mes Torono dhe LA Galaxy e ka fituar kapiten Bradley, por luftën, të paktën atë verbale, e ka fituar Zlatan Ibrahimovic. Ndeshja është fituar 5-3 nga kanadezët, pavarësisht golit numër 500 në karrierë të suedezit.

Pas ndeshjes, Ibra ka thënë se Toronto do të jetë një skuadër e famshme, sepse e ka lejuar të arrijë në 500 gola. Zlatan, gjithsesi, ka gjetur kohë që të polemizojë edhe me një ish-rival të Serisë A. Jo me Giovinco-n ose Van der Wiel, por me ish-romanistin Michael Bradley.

Sipas “NBC”, dy lojtarët kanë debatuar në fushë, me kapitenin e vendasve që është ankuar me arbitrin për sjelljen e suedezit. Zlatan, që e kishte një karton të verdhë, duket se i është afruar në një mënyrë kërcënuese arbitrit, i cili nuk e ka ndëshkuar me kartonin e dytë për protesta.

Bradley ka kërkuar sqarime nga gjyqtari i ndeshjes pas këtij momenti, duke acaruar akoma më shumë Ibran. Në fund të ndeshjes, Bradley ka vendosur të mos bëjë asnjë deklaratë, por Zlatan ka patur mendim tjetër.

“Bradley mendon se është një filozof i futbollit. Ndoshta nuk e di se unë kam më shumë gola se ndeshje të luajtura nga ai. Kështu që është ai që duhet të ndjekë rregullat e mia”.

Një deklaratë e zakonshme nga Zlatan, por që nuk ka qenë edhe aq larg realitetit këtë herë. Ai, siç dihet tashmë, ka shënuar 500 gola në karrierën e tij, ndërsa ndeshjet e luajtura nga Bradley janë 516.

Më shumë nga Futboll