Champions League

Zola jep “recetën”: Ja si Chelsea mund ta befasojë Barcelonën…

Gianfranco Zola po mbështet ish-klubin e tij të mëparshëm për të bërë një surprizë kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve. Skuadra e drejtuar nga Antonio Conte udhëton për në “Camp Nou” me barazimin 1-1 të ndeshjes së parë të 1/8 finale të Ligës së Kampioneve, me synimin për t’u kualifikuar në çerekfinale, edhe pse goli i Lionel Messit në “Stamford Bridge” e vështirëson misionin e kampionëve të Anglisë në fuqi. Zola shënoi gol në fitoren 3-1 ndaj Barcelonës, në çerekfinalen e vitit 2000, përpara se gjigandët katalanas të përputheshin me atë rezultat në ndeshjen e dytë dhe të “kalonin lumin” në kohën shtesë. Këtë herë, Zola shpreson që Chelsea nuk do të vuajë aq shumë në “Camp Nou” dhe beson se Conte me lojtarët e tij mund t’ua bëjnë jetën të vështirë udhëheqësve të La Liga-s.

“Nuk do të jetë e lehtë, duke luajtur në Barcelonë është një lojë e vështirë, por Chelsea është një ekip i fortë, me lojtarë të mirë, – tha Zola për “Omnisport”. – Unë mendoj se blutë mund të shkojnë atje dhe ta befasojnë Barcelonën, ata e kanë aftësinë ta bëjnë këtë. Chelsea ka llojin e lojtarëve që Barcelona nuk i pëlqen shumë, kështu që, sipas mendimit tim, është ende një lojë e hapur. Chelsea do të duhet të mbrohet mirë. Ndeshja e parë përfundoi 1-1, ndaj Barcelona do të përpiqet ta fitojë ndeshjen e kthimit, duke mos  bazuar në avantazhin e golit ​​larg fushe. Unë jam i sigurt se katalanasit do të duan të jenë të sigurtë me fitoren. Nëse Chelsea do të mbrohet më së miri, atëherë mund ta përdorë kundërsulmin, që di ta bëjë me të vërtetë mirë”.

Më shumë nga Champions League