Moto GP

Zyrtare, Jorge Lorenzo firmos për Honda, “dream team” me Marquez

Tashmë është zyrtare: Jorge Lorenzo është piloti i ri i Honda, me të cilin do të garojë nga viti 2019, duke zënë vendin e të larguarit Dani Pedrosa. Thashethemi që qarkulloi 24 orët e fundit, pas garës së zhvilluar ditën e diel në Mugello, tashmë është konfirmuar. Lajmin e ka bërë publik vetë motori japonez, përmes një mesazhi në faqen e tij zyrtare në “Twitter”.

Jorge Lorenzo, 3 tituj kampion në Moto GP me motorin Yamaha, do të largohte nga motori Ducati në fund të këtij sezoni, pas dy vitesh të dështuara, ku vetëm ditën e diel arriti të korrë suksesin e parë. Edhe pse fitoi këtë garë në Itali, palët deklaruan se nuk do të kishte rinovim të kontratës. Lorenzo ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me Honda, nga e cila do të përfitojë 4 milionë euro për sezon.

Por ajo që bie në sy është se tashmë Honda do të përbëhet nga dy pilotë kampionë bote, pasi Lorenzo do të ketë si shok skuadre patriotin e tij Marc Marquez, kampion bote në Moto GP dhe kryesues i Botërorit 2018. Një dyshe që formon “dream team” të Moto GP, dy pilotë të shpejtë dhe mjaft të fortë, që pritet ta bëjnë motorin japonez pretendent për titull edhe në të ardhmen.

Më shumë nga Moto GP