Boks

Zyrtare, Joshua do të përballet me Parker më 31 mars në Kardif

Anthony Joshua kërkon të rrëmbejë një tjetër titull  kampion bote dhe sot, përmes një mesazhi në rrjetet sociale ka konfirmuar se më 31 mars do të përballet me neo-zelandezin Joseph Parker. Kjo përballje mes dy kampionëve të botës, të dy të pamposhtur në ring, do të zhvillohet në “Principality Stadium” të Kardifit. Boksieri britanik është kampion bote në peshat e rënda në kategoritë IBO, IBF dhe WBA, ndërsa rivali i tij mban titullin e kategorisë WBO. Çka do të thotë që kjo sfidë do të sjellë unifikimin e titujve kampionë

Nogociatat për këtë sfidë kanë nisur prej kohësh, por vetëm sot u bë i mundur zyrtarizimi i këtij dueli. Joshua ka arritur 20 fitore në karrierën e tij, të gjitha me “KO” dhe do të kërkojë të ruajë këtë ritëm edhe ndaj Parker, që ka 24 fitore (18 me KO) dhe asnjë humbje. “Dua të dueloj, ky është objektivi kryesor dhe dua t’u tregoj të gjithëve se nuk kam frikë nga askush. Parker është një rival që e respektoj, mban titullin kampion bote, çka do të thotë që triumfi në këtë përballje do të më afrojë edhe më shumë drejt objektivit tim, për të qenë kampioni absolut i peshave të rënda”, tha Joshua.

Shifrat e dy boksiereve kampione bote ne peshat e renda

Edhe parker synon të njëjtën gjë si britaniku, madje duke u përpjekur të frikësojë disi rivalin. “Ai duhet të ketë frikë, pasi do të pësojë një traumë nga mua. Unë do t’i vërtetoj gjithë botës se çfarë mund të bëj, se edhe me një grusht të vetëm do ta hedh në tapet”, u shpreh Joseph Parker. Mësohet se palët kanë arritur marrëveshjen edhe për sa i përket anës financiare, me Joshua që pritet të marrë 66% të fitimit dhe Parker 33%, por nuk dihet nëse revanshi është parashikuar në këtë marrëveshje. Një përballje që parashikohet e fortë, mes dy boksierësh kampionë dhe të pamposhtur në ring edhe pse Joshua konsiderohet favorit.

Më shumë nga Boks