Kampionati Shqiptar

Zyrtare: Nderim Nexhipi te Flamurtari, prezantimi nesër

Kishte pak ankth deri ditën e nesërme nëse vërtet Nderim Nexhipi do të firmoste në Vlorë me Flamurtarin, apo presioni i tifozëve të Partizanit do të detyronte presidentin Demi dhe trajnerin Starova ta kthenin kapitenin si titullar. Por ky ankth ka marrë fund, pasi klubi vlonjat zyrtarizon gjithçka në njoftimin që ka bërë.

 

“Ditën e nesërme, të gjithë mediet dhe tifozët janë të ftuar në orën 13:00, në ambientet e stadiumit për prezantimin e afrimit më të ri të F.C.Flamurtarit, futbollistit shqiptar nga Maqedonia, Nderim Nexhipi”. Kështu shkruhet në faqen zyrtare të Flamurtarit, duke mbyllur çështjen “Nexhipi”.

Partizani-Nderim-Nexhipi-1024x951

Nderim Nexhipi kur prezantohej te Partizani

Nexhipi u dha të kuqve tre derbi me Tiranën në sezonin e kaluar. Njëri nga lojtarët më cilësorë që ka pasur kampionati shqiptar, një “artist” me topin, i bëhet “dhuratë” një klubi rival në Superiore, që lufton për titull. Kështu, Nexhipi do të prezantohet në Vlorë, me Flamurtarin, pasi ka arritur akordin financiar me drejtuesit kuqezinj. Një përforcim i spikatur ky për formacionin e drejtuar nga trajneri Stanislav Levi. Bashkë me ish-kapitenin e Partizanit, klubi bregdetar do të prezantojë edhe mbrojtësin e kombëtares gjeorgjiane, Giorgi Popkhadze.

Flamurtari-Partizani-0-0-G.Lika-dhe-perballe-muri-mbrojtes-me-Krasniqin-e-Nexhipin

Nderim Nexhipi në ndeshjen kundër Flamurtarit, ekip me të cilin do të luajë tani e tutje

Tri goditjet e radhës dëshmojnë për ambiciet maksimaliste të Flamurtarit në sezonin e ri. Pra, skuadra vlonjate po kompletohet para se të udhëtojë drejt Sllovenivë, pikërisht në Maribor, ku do të zhvillojë përgatitoren e vërtetë dhe do të luajë disa ndeshje miqësore. Shkon kështu në shtatë numri i përforcimeve në radhët e klubit vlonjat, duke filluar me çekun Peter Trapp, portierin vlonjat Argent Halilaj, mesfushorin kosovar Ylli Hoxha, mbrojtësin kosovar Debatik Curri, mbrojtësin gjeorgjian Giorgi Popkhadze, sulmuesin Bedri Greca dhe tani Nderim Nexhipin.

Ndërkohë, pritet reagimi i tifozëve të Partizanit për këtë transferim. Ultrasin e kuq patën shkruar ditë më parë: “Nuk do të pajtohemi kurrsesi me një largim të kapitenit. Nëse ndodh, do të jemi të detyruar të reagojmë fuqishëm! Nderimi, njëri nga ne!” – është reagimi zyrtar i “Ultras Guerrils 08-09”. Lajmi se kapiteni Nderim Nexhipi po largohet nga Partizani shkaktoi “tërmet” te tifozëria e kuqe. Ata nuk duan ta besojnë këtë gjë, por në fakt ky është realiteti. Të shohim se si do të jetë reagimi i tyre, kur u pa qartë që presioni i tyre në ndeshjen kundër Stromgodset në Tiranë detyroi trajnerin Starova të aktivizonte Nexhipin.

[total-poll id=58265]

Më shumë nga Kampionati Shqiptar