Kampionati Shqiptar

Zyrtarizohet largimi i Cungut, Vllaznia i besohet Ernest Gjokës

U përfol gjatë ditës së djeshme se kishte dhënë dorëheqjen, por në fakt Armando Cungu i ka drejtuar kuqeblutë në stërvitjen e së mërkurës, duke u lënë lojtarëve takim sërish për sot në orën 12:00, për seancën e radhës, në përgatitjet për ndeshjen e së dielës me Partizanin. Sidoqoftë, konfirmim zyrtar për “divorcin” e tij me Vllazninë nuk pati as nga klubi, as nga vetë trajneri. Si duket ishin bisedimet e fundit për mënyrën se si do të ndërpritej kontrata me mirëkuptim dhe kush do ta pasonte Cungun. Vizita e djeshme në Shkodër e Ernest Gjokës, trajnerit kampion me Kukësin, e përvijoi atë si trajnerin e ri të Vllaznisë.

Sidoqoftë, konfirmimet dhe zyrtarizimet duket se ishin lënë për ditën e sotme. Fillimisht është zyrtarizuar largimi i Armando Cungut nga Vllaznia, përmes një njoftimi të klubit kuqeblu, në të cilin thuhet: “Klubi i futbollit ‘Vllaznia’ përshëndet punën dhe kontributin e deritanishëm të trajnerit Armando Cungu dhe informon ndërprerjen konsensuale të bashkëpunimit, në të mirë të Vllaznisë dhe të përmirësimit të rezultateve sportive. I urojmë suksese trajnerit Cungu në detyrat e ardhshme.” Tashmë pritet të zyrtarizohet trajneri i ri, që sipas të gjitha gjasave do të jetë Ernest Gjoka.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar