Futboll

Zyrtarizohet transferimi i Merveille te Getafe, Tirana konfirmon edhe dy përforcime

Ndonëse marrëveshja verbale mes palëve ishte arritur e njoftuar prej kohësh, klubi bardheblu ka informuar sot zyrtarisht transferimin e futbollistit Merveille Ndockyt nga skuadra e Tiranës drejt Getafe në kampionatin spanjoll. Njoftimi është publikuar në profilin zyrtar të klubit 24 herë kampion të Shqipërisë, në rrjetet sociale. “Futbollisti i talentuar Merveil Ndockyt është transferuar nga Tirana tek skuadra e Getafes në Spanjë. Klubi ka mbyllur të gjitha detajet e transferimit dhe sot Merveil është regjistruar tek ekipi spanjoll. Në marrëveshjen mes dy klubeve është parashikuar që një pjesë të kartonit të lojtarit do ta mbajë klubi bardheblu. KF Tirana e falenderon Merveilin për kontributin e tij dhe i uron suksese në të ardhmen”, citon njoftimi i klubit bardheblu.

Në të njëjtën ditë me largimin e Merveille, zyrtarët e Tiranës kanë njoftuar edhe zyrtarizimin e dy përforcimeve në radhët e kontigjentit bardheblu. Sipas drejtuesve të Tiranës, Maveje dhe Bisha do të nënshkruajnë nesër kontratat e tyre me klubin 24 herë kampion të Shqipërisë: “Skuadra vijon përgatitjet nën drejtimin e trajnerit Ze Maria. Sot me ekipin janë bashkuar në stërvitje mesfushori nga Uganda Toni Maveje dhe mbrojtësi Alvaro Bisha. Të dy futbollistët do të nënshkruajnë nesër marrëveshjet për tu bërë zyrtarisht pjesë e KF Tiranës. Me skuadrën bardheblu prej dy javesh po stërviten dhe mesfushori Bedri Greca dhe mbrojtësi i majtë Alked Celhaka. Brenda pak ditësh skuadra do të kompletohet me përforcime për të qenë gati për sezonin e ri”.

Më shumë nga Futboll