Volejboll

Zyrtarizohet transferimi i volejbollistit Anton Qafarena në Bundesligë

Ashtu sikurse ishte përfolur që disa muaj më parë, volejbollisti shkodran Anton Qafarena do të luajë në Bundesligën gjermane të volejbollit sezonin tjetër, me skuadrën e TV Ingersoll Buhl. Marrëveshja mes palëve u arrit që në fillim të këtij viti, por u ra dakord që transferimi të kryhej pas përfundimit të sezonit dhe tashmë ka ardhur koha që gjithçka të zyrtarizohej. Dhe, pak ditë më pare, është hedhur firma, e zeza mbi të bardhë, me lojtarin shkodran që është zyrtarisht një volejbollist i skuadrës së TV Ingersoll Buhl, me të cilën do të luajë sezonin e ardhshëm sportiv 2017-2018.

Zyrtarizimi është bërë pas përfundimit të eliminatoreve të Ligës së Europës, ku Qafarena luajti me fanellën kuqezi, duke qenë një nga lojtarët më të mirë. Më pas, shkodrani ishte edhe me Kombëtaren U-20, që u shpall nënkampione e Ballkanit në këtë grupmoshë. Marrëveshja është konfirmuar edhe në rrjetet sociale, një shans i artë për Qafarenën që do të ketë mundësi të stërvitet e luajë në një kampionat shumë të fortë, ku ka mundësi të rritet edhe më shumë profesionalisht. Sezonin e fundit, ai u shpall kampion i vendit me Vllazninë, arritja e tij më ë madhe.

Volejbollisti shkodran Anton Qafarena (nr.14) ne bllok

Për mua, ky transferim kjo është një mundësi e shkëlqyer, pasi do të luaj në Byhl për vitet në vijim. Do të dëshiroja që të rritesha profesionalisht në këtë skuadër dhe të merrja gjithnjë e më shumë përgjegjësi”, u shpreh Qafarena për mediat. Sakaq, edhe vetë presidenca e klubit gjerman i ka uruar mirëseardhjen diagonalistit kuqezi. Skuadra gjermane e TV Ingersoll Byhl u ngjit në Bundesligë në vitin 2009 dhe prej këtij viti ka pasur një ecuri të kënaqshme. Sezonin e kaluar, ekipi i drejtuar nga trajneri argjentinas Ruben Volokin e mbylli në vend të gjashtë dhe arriti të kualifikohej deri në fazën çerekfinale të fazës së “play off”-it.

Më shumë nga Volejboll