“100 vjet – Vllaznia përgjithmonë”, Shkodra merr ngjyrat e festës “shekullore”

12 Shkurt 2019
15:00
Alfred Lleshi
back button

Zbulohet baneri kryesor i festës së 100-vjetorit të krijimit të klubit të parë të futbollit në Shqipëri, Vllaznia. Afrimi i datës 16 shkurt, startit zyrtar të festimeve të ditëlindjes “shekullore” të kuqebluve të Shkodrës, e ka ndezur atmosferën në kryeqendrën e veriut. Pushteti lokal ka menduar të stolisë edhe rrugët e qytetit me këto postera, si për t’i kujtuar e ftuar të gjithë tifozët e dashamirësit e këtij klubi, që fatkeqësisht militon në Kategorinë e Parë këtë sezon, se Vllaznia bëhet “një shekull”. 

E para që është mbushur me postera, referuar këtij momenti të jashtëzakonshëm, ka qenë pedonalja e Shkodrës. “100 vjet – Vllaznia pergjithmonë”, sikurse shkruhet në banera, duket se do të jetë edhe “kryefjala” e festimeve kuqeblu. Në ditët e ardhshme do të publikohet nga bashkia edhe kalendari i veprimtarive, që do të zhvillohen në nderim të këtij përvjetori historik të vendlindjes së futbollit shqiptar. 

Pritet të hapet një ekspozitë fotografike, kushtuar kësaj ngjarjeje historike, si dhe do të organizohet një mbrëmje e madhe gala në teatrin “Migjeni”, ku është i ftuar edhe Presidenti Ilir Meta. Ky i fundit do të shpërndajë tituj e dekorata për figurat e shquara të futbollit shkodran në këto 100 vite.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit