11 pikë larg Liverpool, Guardiola merr në mbrojtje lojtarët e tij

2 Dhjetor 2019
10:36
Alfred Lleshi

Pep Guardiola këmbëngul se lojtarët e tij te Manchester City nuk e kanë humbur vetëbesimin, as do t’i ndalin përpjekjet për mbrojtjen e titullit në Premier League, pavarësisht se Liverpool vazhdon të mos gabojë si ata dhe tashmë ka 11 pikë më shumë në klasifikim. “Qytetarët” barazuan 2-2 ndaj Newcastle United, duke e parë veten të tretët në renditje, pas 14 ndeshjesh. Të besuarit e Jurgen Klopp kanë lënë vetëm dy pikë rrugës, deri më tani, duke mbizotëruar kampionatin anglez. 

Megjithatë, Guardiola i hodhi poshtë zërat se besimi po venitet te skuadra e tij, përpara udhëtimit të së martës në Burnley, që i paraprin derbit të Manchesterit: “Unë mendoj sinqerisht se ju duhet të shihni si lojtarët e mi vrapuan, si luftuan, si u përpoqën të fitonin…, mjafton gjuha e trupit. Ne kurrë nuk heqim dorë. Ekipi është gjithmonë aty, duke tentuar maksikumin. Kjo është ndjenja ime. Ju analizoni rezultatin 2-2, që sigurisht nuk është i mirë për ne. Ai ishte i mirë për Newcastle. Unë e di se llogariten pikët, por më duhet të analizoj edhe performancën e skuadrës, e cila ishte e mirë.

Distanca me Liverpool? Nuk po mendoj sa ndeshje duhet të fitojmë për këtë, thjesht përpiqemi të mbyllim me sukses atë të radhës. Sezonin e kaluar, kur ishim këtu, nuk po flisnim për Premier League dhe sa lojëra duhet të fitonim. Nuk ka të bëjë me këtë. Lojtarëve iu kërkoj të rehabilitohen, të përgatiten dhe të fitojnë kundër Burnley. Pas kësaj vjen derbi, duhen hedhur me kujdes këto dy hapa”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit