17000 transferime në vitin 2019, agjentët “gllabëruan” 590 milionë €

5 Dhjetor 2019
15:02
Alfred Lleshi
back button

Agjentët nuk punojnë përditë, përveç disa muajve në vit dhe përjashtimeve të tjera. Ata bëhen aktivë kur hapet merkatoja në futboll, kur lojtarët që përfaqësojnë përfundojnë një kontratë dhe duan ta rinovojnë atë, ose të sigurojnë një të re në një klub tjetër. Këta “ndërmjetës” negociojnë shifrat dhe përpiqen të shpejtojnë negociatat, duke përfituar tarifat e tyre të majme në formë komisioni. “Palco23” ka pasur qasje në një raport të FIFA-s, që tregon se plot 590 milionë euro janë shpenzuar për komisione të menaxherëve në vitin 2019.

FIFA ka realizuar një studim të plotë të ndërhyrjes së agjentëve në transferimet e futbollistëve, për të vendosur më pas kufij të caktuar në këtë drejtim, sepse shifrat po ekzagjërohen vitet e fundit. Tani, qeveria e futbollit botëror do t’i kufizojë komisionet e agjentëve në 10% të shumës së transferimit të lojtarit. Po kështu, do të ndalojë të njëjtin përfaqësues që të mbrojë interesat e shitësit, blerësit dhe lojtarëve. Ky medium, gjithashtu, ofron disa fakte interesante në lidhje me merkaton e transferimeve. Këtë vit, plot 17000 transferime u kryen në glob, ndërsa shuma e 590 milionë eurove u pagua si komision për menaxherët. 

80% e kësaj shume iu përket ligave kryesore europiane. Serie A është ajo, që i paguan më shumë menaxherët në raste transferimesh. Për më tepër, ky portal shprehet se komisioni i agjentëve ishte nën 10% dhe shumë pak e tejkaluan 20% të çmimit të transferimit. Në shkallë vendi, Spanja është e gjashta për komisionet e paguara agjentëve të lojtarëve, me 67.7 milionë euro.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit