21 rezultate pozitive radhazi, flet Pioli: Ky Milan nuk është normal

23 Tetor 2020
8:43
Alfred Lleshi

Milani shënon rezultatin e 21-të pozitiv. Kuqezinjtë fituan në fushën e Celtic (1-3), në debutimin e tyre në “Europa League”. Një tjetër sukses dhe mbrëmje mbresëlënëse. Stefano Pioli komentoi ndeshjen në “Sky Sport”, duke u përqendruar te momenti pozitiv që ekipi i tij po përjeton nga marsi deri më sot:

“Ne e luajtëm mirë ndeshjen, në pjesën e dytë ishim më pak preciz teknikisht. Ishte e rëndësishme të tregonim se nuk jemi një ekip normal. Pas derbit që fituan, ekipet normale do të kishin treguar më pak motivim se ne. Jemi duke punuar fort, të gjithë në një drejtim. Ekipi ndihet pjesë integrale e mjedisit kuqezi. Gjithçka fillon nga pronarët”.

Trajneri, gjithashtu flet për mënyrën se si ekipi mund të merret me momentet negative, që do të vijnë këtë sezon dhe se si mund t’i trajtojë ato: “Rezultatet pozitive japin besim, por e dimë që do të vijnë momente edhe më delikate. Ne kemi figura të rëndësishme, që na ndihmojnë në kohë vështirësie. Do t’i përdorim ato për t’u përmirësuar. Referuar kohezionit që ekziston, ne do t’i kapërcejmë pengesat”.

Pioli shikon në të ardhmen e afërt, nga sfida me Romën, madje edhe më shumë në perspektivë: “Fitoret kundër ekipeve të mëdha ishin ato që na mungonin. Unë pres një ndeshje të vështirë kundër Romës. Ajo ka cilësi shumë të rëndësishme, por edhe ne nuk mbetemi pas. Titulli? Ne mund të japim shumë argumente të të gjitha llojeve, por kemi nevojë për të ngritur nivelin teknik. Sa më shumë të rrisim performancën, aq më shumë mund të fitojmë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit