23 dhjetori magjik i boksit, dy ish-kampionët e botës në ring në të njëjtën mbrëmje

24 Nëntor 2023
13:26
Telesport
back button

Edhe pse u përfol prej muajsh se dy ish-kampionët e botës në peshën e rëndë, britaniku Anthony Joshua e amerikani Deontay Wilder mund të përballeshin mes tyre, kjo gjë nuk do të ndodhë. Të paktën jo këtë vit. Të dy boksierët kanë gjetur rivalë të tjerë, ndërkohë që pritet të ngjiten në ring me 23 dhjetor, në Arabinë Saudite.

Edhe pse nuk ka ende asgjë zyrtare, pritet që Joshua të përballet me Otto Wallin, ndërsa Wilder do të duelojë me Joseph Parker. Këto dy sfida do të zhvillohen në të njëjtën mbrëmje në Arabinë Saudite. Gjithçka erdhi pasi Joshua e Wilder nuk arritën të gjejnë një marrëveshje për t’u përballur mes tyre.

Dy boksierët nuk janë përballur as kur ishin në të njëjtën kohë kampionë bote. Duket se një inat i vjetër mes tyre është ende aktiv, çka nuk i lejon ata të duelojnë. Gjithsesi, vitin tjetër kjo gjë mund të ndodhë, duke qenë se do të jenë në të njëjtin ring më 23 dhjetor e mund të arrijnë një marrëveshje.

Gjithsesi, të dy ish-kampionë e botës duhet të fitojnë më 23 dhjetor që kjo përballje e madhe mes tyre të realizohet vitin 2024. Wilder e Joshua tashmë janë në fundin e karrierës së tyre dhe përpiqen të arkëtojnë sa më shumë, ndërkohë që bota e ka vëmendjen te sfida e 17 shkurtit mes Usyk dhe Fury.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit