25 qershor 1988: dita kur Van Basten u kthye në legjendë (VIDEO)

25 Qershor 2019
10:27
back button

Si sot 31 vite më parë bota më në fund duartrokiste një triumf holandez, sepse për herë të parë në histori Tulipanët fituan një trofe dhe u shpallën kampionë Europe.

Ishte 25 qershor i vitit 1988, dita e finales kundër Bashkimit Sovjetik, në një Olympiastadion të tejmbushur në Mynih, kur Marco van Basten rishkroi historinë me një gol legjendar, nga ata që nuk do harrohen kurrë.

Para Euro 88, 23-vjeçari Van Basten ishte një ndër talentet më të mëdhenj të kohës, por një tregolësh ndaj Anglisë, një gol kundër Gjermanisë Perëndimore në gjysmëfinale dhe ai gol spektakolar në finale kundër Bashkimit Sovjetik e futën holandezin në sallonin e më të mëdhenjve të futbollit, duke e kthyer në legjendë.

Aspak keq për një futbollist i cili sapo kishte mbyllur në mënyrë të pafat sezonin debutues te Milani, kishte pësuar një dëmtim të rëndë në gju dhe e nisi nga stoli Kampionatin Europian, pikërisht kundër Bashkimit Sovjetik (që fitoi). Van Basten priti qetësisht, e dinte që nuk ishte në maksimum, por kur i erdhi shansi, shënoi 3 gola ndaj Anglisë dhe nuk u ndal më.

"Ishte pjesa e dytë dhe isha pak i lodhur. Topi erdhi nga Arnold Muhren dhe po mendoja 'OK, mund ta ndal dhe të mundohem të dribloj sa të mundem, ose mund të zgjedh rrugën më të lehtë, të rrezikoj dhe të gjuaj'. Duhet shumë fat me goditje të tilla, por shkoi mbarë. Është një nga ato gjëra që ndonjëherë thjesht ndodhin, nuk mund ta bësh sërish edhe nëse tenton 1 milion herë. Pasi shënova, nuk po e kuptoja ende çfarë kishte ndodhur, edhe vetë isha i shtangur", kujton Van Basten

Për Oranje, që kryesonte 1-0 me gol të Ruud Gullit deri në minutën e 54-t, ai ishte goli i dha fund sfidës, sepse Bashkimi Sovjetik nuk pati më forcë të reagonte. Pas humbjeve dëshpëruese në finalet e Kupës së Botës 1974 e 1978, më në fund Holanda e fitoi një trofe madhor! 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit