25 tifozë të arrestuar, policia bën bilancin e përleshjeve pas ndeshjes Tirana-Zrinjski Mostar

20 Korrik 2022
8:41
Alfred Lleshi
back button

Tirana-Zrinjski Mostar, ndeshja e vlefshme për “Conference League”, u luajt mbrëmë në “Arena Kombëtare”. Loja prodhoi fitoren minimale të boshnjakëve, të cilët e presin me qetësi sfidën e kthimit në shtëpi. Brenda kuadratit të blertë, gjithçka ishte “fair play” mes futbollistëve, por tifozët e kaluan cakun e lejuar.

Sidomos ata boshnjakë, të cilët ishin rreth 250 në numër. Ata hodhën sende të forta dhe lëndë piriteknike gjatë lojës, ndërsa në dalje nag stadium u përleshën me policinë. Uniformat blu donin të ndalonin ata tifozë të dokumentuar se kishin bëra gjëra të ndaluiara gjatë ndeshjes, por kjo shkaktoi reagimin e dhunshëm të tërë mbështetësve të skuadrës boshnjake.

Më pas situata precipitoi, sa u hodh edhe gaz lotsjellës. Në fund të mbrëmjes së djeshme, 25 tifozë të arrestuar dhe dy persona (një tifoz dhe një pjesëtar i policisë) të dëmtuar, të cilëve iu desh ndihma përkatëse në spital. Ja njoftimi i policisë për këtë ngjarje të shëmtuar:

“Më datë 19.07.2022, në stadiumin “Air Albania”, pas përfundimit të ndeshjes Tirana-HSK Zrinjeski Mostar i Bosnje Hercegovinës, gjatë daljes së tifozëve, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë për të shoqëruar disa tifozë të ekipit të Bosnje Hercegovinës, të cilët gjatë zhvillimit të ndeshjes kanë kanë hedhur sende të forta dhe lëndë piroteknike.

Gjatë momentit të shoqërimit të tyre, pjesa tjetër e tifozëve të këtij ekipi ka kundërshtuar me forcë dhe me sende të forta punonjësit e Policisë, për të mos lejuar shoqërimin e tyre. Shërbimet e Policisë, për të neutralizuar aktet e dhunshme të tifozëve, kanë përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë ata.

Si pasojë e akteve të dhunës nga ana e tifozëve është dëmtuar një punonjës policie si dhe një tifoz, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Nga shërbimet e policisë deri tani janë shoqëruar 25 tifozë.

Sqarojmë opinionin publik që nuk ka pasur të shtëna me armë dhe vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në akte të dhunshme ndaj punonjësve të policisë. Grupi hetimor nën drejtimin e prokurorisë vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit