257 km në këmbë, me moton “Vrapimi i Shqipes, nga Skënderbeu te Skënderbeu”. Atleti kosovar bashkon Prishtinën me Tiranën (fotot)

5 Korrik 2020
12:14
Alfred Lleshi
back button

Një atlet kosovar ka vendosur “rekordin” e jetës, duke bashkuar dy kryeqytetet shqiptare në Ballkan, Prishtinën dhe Tiranën. Ju do të pyesni se si e ka realiazuar këtë gjë? Duke e përshkuar në këmbë rrugën nga Sheshi Skënderbej në kryeqytetin kosovar deri në sheshin me të njëjtin emër të Tiranë. Një distancë stërmunduese në këtë vapë përvëluese të korrikut, të cilën atleti Fikret Shatri me katër pesë partnerë të tjerë e ka përmbyllur pasditen e së shtunës.

Një mision sfidues dhe mjaft simbolik, i përkrahur në rrugëtim edhe nga sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, anëtarë të klubit “Kosova Trail Running Association”, anëtarë të “Marathon Albania”, si dhe miq e familjarë të tij.

Fikreti ishte nisur më 2 korrik, ora 18:00 nga Prishtina, ndërsa ka mbërritur në Tiranë, te sheshi Skënderbej dje rreth orës 15:30. 257 km të përshkuara në këmbë për pak më shumë se dy ditë është një “rekord” edhe sportiv, në llojin e vet, përvecse patriotik e përbashkues mes shqiptarëve, andej dhe këtej kufirit.

Në pjesën e fundit të kësaj “maratone”, grupit kosovar i është bashkuar edhe presidenti i KOKSH, Viron Bezhani dhe disa vrapues shqiptarë të distancave të gjata. Fillimisht e kanë “ngritur” flamurin kuqezi te busti i Adem jasharit në Tiranë, pastaj te kali i Skënderbeut, po në kryeytetin shqiptar. Bezhani ka ndarë me ndjekësit e tij foto nga ky event emocionues dhe mesazhin:

“Fikret Shatri, nje ish-basketbollist, vrapoi 257 km me moton “Vrapimi i Shqipes, nga Skënderbeu te Skënderbeu”. I nisur nga Prishtina më 2 korrik, Fikret Shatri perfundoi sot në Tiranë garën e tij. Pata nderin dhe kënaqësinë ta shoqëroja sot në kilometrat e fundit, në këtë vrapim në hyrje të Tiranës, duke e vlerësuar këtë mision fisnik të tij”.

I stërlodhur dhe me lot gëzimi, Fikret Shatri rrëfen mrekullinë 45 orëshe Prishtinë-Tiranë

Lajme të tjera

Lajmet e fundit