33 dëmtime dhe shumë tituj në 7 vite, mbyllet epoka e Bale te Real Madridi (info-grafiku)

18 Shtator 2020
13:34
Alfred Lleshi
back button

Gareth Bale ishte pika fillestare e një epoke te Real Madridi. Ardhja e uellsianit në verën e vitit 2013 mbylli ciklin e një grupi legjendash në “Bernabeu”. Aty lindi BBC (Benzema-Bale-Cristiano), një “trident” i mrekullueshëm, që e kaloi kuotën e 400 golave në total; saktësisht 442 gola, dhe që fituan 4 Champions në pesë vite. Lamtumira e Cristiano Ronaldos më 2018 i dha fund BBC dhe tani, sulmi historik madrilen duket se po humb edhe yllin që e kurorëzoi atë “tredhëmbësh”.

Bale nuk e ka mbyllur ende skenën e tij në Madrid, sepse kontrata e tij me të bardhët zgjat deri më 2022, në mënyrën më të mirë të mundshme. Por huazimi është një lamtumirë përmes derës së pasme, pas dy sezoneve të fundit, në të cilët ka qenë më shumë një dhimbje koke për klubin se gjithçka tjetër. Një situatë që “shurdhon” atë që Bale ndërtoi me Cristiano dhe Benzema. Një aleancë e fuqishme sulmuese, që mbeti disi në hije nga MSN (Messi-Suarez-Neymar) e plotfuqishme e Barçës, duke fituar edhe Ligën e Kampionëve.

Bale arriti si galaktik, për të hyrë në një dhomë zhveshjesh ku CR7 ishte tashmë “mbreti” i padiskutueshëm. Por uellsiani arriti të krijonte një vend të rëndësishëm në sezonin e parë. Ai ishte larg rregullsisë së Ronaldos, gjithsesi, pavarësisht se shënoi 22 gola në debutimin me të bardhët. Legjendar ishte galopi i tij në finalen e Kupës së Mbretit kundër Barcelonës në “Mestalla” dhe goli historik për ta çuar Real Madridin përpara në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Atlético Madridit, në të cilën ”Los Blancos” fituan “Decima”. Bale e filloi eksperiencën e bardhë me dy tituj të paharrueshëm.

Më pas, aureola e tij në Madrid do të zbehej gradualisht, kryesisht për shkak të dëmtimeve që e kanë ndëshkuar rëndë. Plot 33 dëmtime në 7 sezone ka pësuar uellsiani, duke merituar përcaktimin si “lojtar prej kristali”. Kurrë nuk shënoi më shumë gola sesa në sezonin e tij të pare në Madrid. Sigurisht, ajo që nuk i ka munguar kurrë ishte shfaqja në momentet vendimtare. Spektakolare ishte paraqitja e tij në finalen e Milanos, përfshirë edhe golin nga penalltitë. Ai, gjithashtu, shkëlqeu në Botërorin e Klubeve 2014. Dhe mbi të gjitha, dy golat në finalen e Kievit mbeten “qershia mbi tortë”, sepse bënë historinë e Real Madridit, siguruan Champions-in e tretë radhazi.

Fill pas Cristiano Ronaldo u largua nga Real Madridit, Bale iu dha mundësia që e kishte kërkuar kaq shumë për të mbretëruar në ekipin e bardhë, pa figurën imponuese të portugezit. Klubi vuri bast mbi të, por uellsiani nuk i përmbushi pritshmëritë dhe nuk mundi ta merrte “stafetën” e lënë nga CR7. Bale as nuk e mbajti dot vendin në formacionin titular. Derisa mbërriti momenti i largimit nga “Bernabeu”…

Lajme të tjera

Lajmet e fundit