34 vjeç, por i pandalshëm. CR7 tregon sekretin e karrierës së tij prej ylli

8 Qershor 2019
9:44
Alfred Lleshi
back button

Cristiano Ronaldo është duke kërkuar një titull të dytë ndërkombëtar me Portugalinë, teksa kampionët e “Euro 2016” po përgatiten për finalen e Ligës së Kombeve, kundër Holandës. Në një intervistë për “UEFA.com”, ylli i Juventusit ka nënvizuar: “Personalisht kam luajtur në dy finale, atë të “Euro 2004” dhe “Euro 2016”, kjo do të jetë e treta. Tri finale nuk janë pak, shpresoj që të fitoj dy të tilla.

Kjo do të ishte fantastike dhe unë shpresoj, po kështu edhe skuadra. Ne mendojmë pozitivisht, edhe për faktin se do të luajmë në shtëpi. Shpresoj që stadiumi të jetë i mbushur, sepse kështu do të ketë energji të mirë. Kjo energji do të transmetohet tek ne. Me tifozët në mbështetje, të gjithë ne mund të jemi më të sigurt në fushën e lojës, do të japim më të mirën”.

CR7 ishte heroi i gjysmëfinales së këtij kompeticioni. Me tre golat e tij në fitoren 3-1 ndaj Zvicrës, ai e udhëhoqi Portugalinë drejt finales së të dielës. Në moshën 34-vjeçare, ai ka rrumbullakosur 88 gola me fanellën luzitane, ndërsa ka realizuar 53 “hat-trick” gjatë gjithë karrierës së tij (klube + kombëtare). Po cili është çelësi i kësaj ecurie të pandalshme, pavarësisht viteve që kalojnë? Ronaldo shpjegon: 

"Është përgatitja, etika ime e punës. Ende ndihem i ri, i freskët fizikisht, pavarësisht se jam 34 vjeç. Gjëja më e rëndësishme është koka juaj, të ndiheni të motivuar dhe të lumtur. Nëse ndiqni rrugën time si futbollist, e kuptoni se kam ende shumë për të dhënë. Ndihem shumë mirë”. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit