351 goditje me kokë në një minutë: një rekord Guinness në Kubë!

28 Qershor 2022
8:15
Alfred Lleshi

Kubani Erick Hernández theu një rekord “Guinness” të shtunën, duke e goditur topin 351 herë me kokë brenda një minute. Ai parakaloi kinezin Gao Chong në këtë specialitet me dhjetë goditje më tepër.

“Kjo do të thotë shumë, sepse është një rekord me shumë pasoja dhe mjaft i vështirë të thyhej me 10 goditje të topit më shumë”, – tha Hernández për ‘EFE’, pasi vendosi rekordin e ri botëror në hotelin “Copacabana” të Havana.

Ish-futbollisti 55-vjeçar shtoi se tani do të bëjë një pushim dhe më pas do të fillojë përgatitjet për të thyer një tjetër rekord, atë prej dhjetë orësh e 9 minutash, duke xhongluar topin vetëm me këmbë.

Hernández, me disa rekorde botërore për zotërimin e topit, grumbulloi 350 goditje me kokë nëntë vite më parë, në të njëjtin vend si të shtunën e kaluar, por nuk u regjistrua nga Libri Guinness.

Rezultati i tij i fundit më i mirë ishte më 17 maj 2020, kur kreu stërvitje në shtëpinë e tij dhe regjistroi 188 goditje me kokë të topit brenda 30 sekonda. Kësisoji, ai theu rekordin e mëparshëm që Guinness e kishte homologuar më 2011.

Hernández filloi ta praktikonte mënyrën e kontrollit të topit më 1994, duke ndjekur traditën e vëllait të tij, Douglas Hernández, pararendës i specialitetit në fjalë në Kubë.

Që atëherë ai ka demonstruar aftësinë për ta prekur topin pothuajse me çdo pjesë të trupit, duke dhënë shenja mjeshtërie me kofshët, gjunjët, këmbët, kokën, vrapimin e 100 metrave dhe maratonën.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit