4 ndeshje pa fitore, Laçi shkarkon trajnerin Cungu

26 Nëntor 2020
10:35
Alfred Lleshi
back button

Në fakt u largua në njëfarë mënyre nga stoli i Laçit qysh pas barazimit “in extremis” me Kastriotin. Nuk doli të fliste para mediave, por i hipi makinës dhe iku në Shkodër, pas një debati të ashpër verbal me presidentin Pashk Laska. U fol për “divorc” që në atë moment, por më pas palët i sheshuan gjërat dhe Cungu vijoi në rolin e tij. Sot, një ditë pas humbjes me Kukësin, duket se gjërat janë ndarë përfundimisht. Trajneri shkodran nuk do t’i drejtojë më tej kurbinasit, të cilët kanë investuar vërtet shumë në merkato, por në katër javët e para të kampionatit janë larg pritshmërive.

Specialistët më të mirë në vend e kanë vlerësuar grupin e Laçit si mjaft dinjitoz, madje të aftë të synojë titullin kampion, por realiteti në fushën e blertë ka qenë krejt tjetër deri tani. Në një situatë të tillë, duket se “kokë turku”, si zakonisht në futboll, është bërë trajneri. Ajo që u nis para pak javësh, mbas sfidës me krutanët, është materialuzuar sot. Humbja me nënkampionët e vendit nuk është kapërdirë nga presidenca e kurbinasve, e cila ka vendosur ta mbyllë këtu bashkëpunimin me Cungun.

Ka pak detaje të këtij ”divorci” për momentin, por palët i kanë dhënë duart njëri-tjetrit. Kësisoji, Laçi vihet në kërkim të një trajneri të ri, duke u bërë skuadra e dytë e Superiores në këtë kampionat që ndryshon njeriun e stolit. I pari që u bë “viktimë” ishte Emanuel Egbo. Për momentin, kurbinasit renditen në vendin e tetë të Superiores, me vetëm 3 pikë, si pasojë e tri barazimeve dhe një humbjeje. Pra, për këtë kampionat, fitorja mungon ende, çka i ka kushtuar shumë Armando Cungut.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit