45 vitet e Del Piero; midis futbollit, TV, biznesit dhe të ardhmes (video)

9 Nëntor 2019
10:43
Alfred Lleshi
back button

Në mes të rrugëtimit të jetës së tij, nuk ka më mbrojtës për të dribluar. Alessandro Del Piero, ose siç e thërrasin atë Ale, por jo Alex, gjë që e përbuz, feston sot 45-vjetorin e lindjes. Një nga sulmuesit më të mirë italianë ka ende guximin e një djaloshi, që nuk ndahet dot nga futbolli. Nga kolltuku i studiove të televizionit “Sky”, ai shpërndan njohuritë që ka për këtë sport magjik, që e përpiu të tërin që në vogëli. Talenti analitik të kujton të njëjtën gjë me topin, kur luajti në fushat e blerta. Ai nuk është më fëmija, që në moshën 19-vjeçare kishte ende për t’u realizuar si futbollist, edhe pse debutoi me ekipin e parë të Juventusit. E kemi fjalën pikërisht për 19 shtatorin 1993, kur u shfaq në Serie A, në ndeshjen Juventus-Reggiana. Ai debutoi si zëvendësues, por vetëm pas një minute lojë shënoi të parin nga 188 golat personalë, të gjithë me fanellën e Juventusit, në kampionatin italian.

Kjo shifër e vendos Del Piero në vendin e 9-të të golashënuesve më të mirë italianë të të gjitha kohërave. Ai nuk është më as kampioni i pjekur i trofeve dhe lavdisë, që në pranverën e vitit 2012 përshëndeti mes lotëve të lamtumirës (si futbollist) popullin e tij bardhezi dhe ekipin ku kishte luajtur për 19 sezone, edhe në atë më të vështirin, në Serie B, pas “Calciopoli”. Rast për të treguar besnikërinë e tij ndaj ngjyrave bardhezi. Një moment i përlotur dhe i dhimbshëm, një plagë që edhe sot nuk e ka shëruar plotësisht. Pasi e mbylli karrierën në Itali, Ale shkoi për të luajtur së pari në Sidnei, pastaj në Indi, përpara se të tërhiqej përgjithmonë nga futbolli aktiv në vitin 2014 dhe të zhvendosej në vendbanimin e tij, në Los Angeles. Atje bleu një vilë ëndrrash, në kodrat e Bel Air, bashkangjitur atyre të Jack Nicholson, Sylvester Stallone, Jennifer Lopez dhe Rod Stewart.

Bir i një fshati venecian (lindi në San Vendemiano, në zonën e Treviso), ai u rrit në Padova. Del Piero mori me vete të gjitha prerogativat më të vërteta të tokës së tij: shkathtësi, përkushtim për punën, intimitet. Episodet e shumta prej mjeshtri të madh, qoftë në driblime, shënimin e golave, ekzekutimin e goditjeve të lira etj., mbahen mend nga gjithkush. Mbi njëzet vite karrierë të jashtëzakonshme janë fotografia më e mirë për një yll të tillë të futbollit italian dhe europian. Gjithmonë ka qenë vetvetja, Alessandro, një model për kaq shumë fëmijë, që jetonin me gëzimin e futbollit. Kur u largua nga Juventusi, Del Piero deklaroi mosbesimin dhe frikën e tij të sinqertë për të ardhmen (të njëjtën gjë që tha shoku i tij, Francesco Totti, në letrën e famshme të lexuar në ditën e lamtumirës nga Roma).

Ai po linte një botë që e kishte parë protagonist. Natyrisht, hyri si një legjendë në historinë e klubit bardhezi, duke e lënë detyrën e ndriçimit të ëndrrave të tifozëve të Juventusit në duart e shokëve dhe kolegëve të tjerë. Numri 10 i tij për nja dy gjenerata të lojtarëve të Juventusit ka qenë simbol i një ylli, i mënyrës më dinjitoze të mundshme për të shkëlqyer në fushën e blertë. Kampion bote (ai që njëri prej finalizuesve të penalltive në finalen me Francën, në Kupën e Botës 2006), kampion i Italisë me shumë yje (6 tituj me Juventusin), ai e ndriçoi futbollin italian për gati dy dekada.

Brezat e rinj i kanë të gjalla gjurmët dhe kujtimet e një mjeshtri të tillë, mjafton të shikojnë videot në internet të Del Piero. Legjenda bardhezi na mahnit edhe sot me golat e tij, që mbush 45 vjeç. Një trajektore e jashtëzakonshme, që nga fëmija Del Piero, që hyri në errësirën e garazhit të madh, pas shtëpisë së tij, me një top në dorë dhe, me kërkesë të babait të tij, u zotua të bëhej një futbollist i madh. Ai ia doli mbanë, pati sukses mbresëlënës. Dhe pastaj drita e “përmbyti” garazhin… Në jetën e tij private, Del Piero gjithmonë ka ruajtur sekretin maksimal. Ai u martua me Sonia Amoruso në vitin 2005 dhe ka tre fëmijë të bukur: Tobias (12 vjeç), Dorotea (10) dhe Sasha (9). Kohët e fundit u përfol për një ndarje të mundshme me gruan, por Ale, dhe nuk mund të ishte ndryshe, kurrë nuk tha asgjë për të. 

Ajo që dihet është se sot Del Piero është një njeri që kujdeset për investimet e tij (ai hapi “N10”, restorantin shumë të frekuanetuar në “West Hollywood”, që është bërë një destinacion i lakmuar për VIP-at), është aksionar i një klubi të vogël lokal, LA10FC, dhe president i Akademive të Futbollit ADP10. Futbollin e ndriçon ende me analizat televizive, ndërsa udhëton nëpër botë duke pritur të gjejë një rol menaxherial, mbase edhe te Juventusi, që vitin e ardhshëm, ku mund të përqafojë një shok tjetër të skuadrës dhe një mik të madh: Gigi Buffon, edhe ai pranë lamtumirës bardhezi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit