5 pikë larg kreut, Shehi mban “me këmbët në tokë” Tiranën e tij

9 Prill 2021
11:24
Alfred Lleshi
back button

Orges Shehi kundër së shkuarës së vet të ndritur. Tirana do të sfidojë kuqebardhët e Korçës, në kuadrin e javës së 27-të të Superiores. Ovjektivat e dy skuadrave janë diametralisht të kundërta. Bardheblutë duan të futen në vallen e titullit kampion, ndërsa Skënderbeu të mbijetojë në elitë. Në prag të këtij ballafaqimi, trajneri durrsak i kampionëve të vendit në fuqi u shpreh për gazetarët:

“Skënderbeu është një kundërshtar, që së fundi ka bërë shumë mirë, Ka marrë pikë dhe ka fituar besim, çka është mjaft i rëndësishëm në futboll. Do të jetë një transfertë shumë e vështirë për ne.
Kale? Nuk është në gjendjen e tij më të mirë, prandaj e ka nisur nga stoli. Është një lojtar që na ndryshon shumë, mjaft inteligjent. Kur futet në fushë, ndryshon loja jonë. Kale është i gatshëm, është në listën e të grumbulluarve për sfidën e nesërme. Vendimin për të startuar apo jo do ta marrim para ndeshjes, duke parë kushtet e tij fizike, pasi na ndihmon shumë. Pjesa tjetër e grupit është në maksimum, e stërvitur shumë mirë. Nuk kemi asnjë problem tjetër, jemi gati.

Taipi ka thënë se më njeh si trajner? Mund të më njohë, kjo nuk përbën asnjë problem. Lojtarët që kam stërvitur aty janë të paktë, pjesën tjetër nuk e njoh mirë. Unë mendoj që në situatën ku jemi, çdo ndeshje është e rëndësishme. Nuk duhet të mendojmë për sfidat e tjera që na presin, por vetëm për ndeshjen e nesërme. Kemi rikuperuar goxha pikë. Jemi në një pozitë, ku do të luftojmë për gjithçka. Nuk duhet të mendojmë për vendin e parë që tani, sepse jemi ende të 5-tët. Sidoqoftë, do të mundohemi të marrim sa më shumë pikë. Kemi hyrë në një fazë shumë të rëndësishme të kampionatit, të gjitha janë finale për t’u luajtur. Ne fund do të bëhen llogaritë”.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Lajme të tjera

Lajmet e fundit