5 yje të La Liga-s që mund të përfundojnë në Premier League sezonin e ardhshëm

20 Qershor 2019
17:59
back button

Me largimin e Eden Hazard, Premier League ka humbur një prej lojtarëve më të mirë të planetit, teksa belgu do të luajë në La Liga te Real Madrid. Megjithatë, mesa duket klubet angleze kanë ndërmend të dobësojnë kampionatin spanjoll dhe më poshtë keni pesë yje të La Liga-s që mund t’i shihni në ishull sezonin e ardhshëm. 

MAXI GOMEZ (CELTA VIGO)

Maxi Gomez mbërriti në Spanjë si një 20-vjeçar i panjohur pasi firmosi me Celta Vigon për 3.5 milionë euro nga Defensor Sporting i Uruguait. Ai është kthyer në një vrasës përpara porte dhe ka shënuar 32 gola në 71 ndeshje. Me një fizik të gjatë dhe të fortë, Maxi ka dy vite që është lojtari kryesor i Vigos. Premier League do të ishte vendi i duhur për të dhe klauzola e prishjes së kontratës së tij është 50 milionë euro. 

Destinacioni ideal: West Ham

MARIO HERMOSO (ESPANYOL)

Që kur u transferua nga Real Madrid B, Hermoso ka shkëlqyer në dy sezonet e fundit në La Liga. I fortë në ajër dhe shumë konkurrues, ai fitoi edhe një vend në përfaqësuesen spanjolle. Hermoso do të ishte një përforcim i denjë për çdo skuadër dhe është vetëm 23 vjeç. 

Destinacioni ideal: Arsenal

JUNIOR FIRPO (REAL BETIS)

Sezoni i kaluar ishte zhgënjyes për Junior, kjo për shkak të dëmtimeve, që e kanë detyruar të humbasë 18 ndeshje. 22-vjeçari njihet për shpejtësinë e tij dhe dëshirën e madhe për të vrapuar përpara dhe të ndihmojë ekipin në fazën sulmuese. Firpo është një mbrojtës krahu aventurier dhe me një të ardhme të madhe përpara. 

Destinacioni ideal: Manchester United

GIOVANNI LO CELSO (REAL BETIS)

Betis ka bërë një blerje të shkëlqyer duke marrë argjentinasin nga PSG. Pas huazimit, spanjollët shfrytëzuan klauzolën 22 milionë euro të blerjes përfundimtare dhe tani mund ta shesin për trefishin. Ai shënoi 9 gola në 32 paraqitje dhe ka një të majtë tepër të rrezikshme. Vetëm 22 vjeç, Lo Celco ka shumë hapësirë për t’u përmirësuar dhe do të ishte një afrim me shumë kualitet për kampionatin anglez. 

Destiancioni ideal: Tottenham

RODRIGO HERNANDEZ (ATLETICO MADRID)

Është një nga lojtarët që ka kohë që përflitet për një kalim te Manchester City. Rodri shihet nga Guardiola si pasardhësi ideal i Fernandinho-s. Mesfushori 1.91m i gjatë është shumë i mirë teknikisht dhe ka një vetëbesim të mahnitshëm për një 22-vjeçar. Personalitet, inteligjencë dhe aftësi teknike të mrekullueshme e bëjnë një lojtar tepër të mirë dhe që me shumë mundësi sezonin e ardhshëm do të luajë në stadiumet e Premier League.

Destinacioni ideal: Manchester City

Lajme të tjera

Lajmet e fundit