6 vite pas lamtumirës së Honda, një tjetër japonez te Milani. Mesfushori-sulmues drejt zyrtarizimit

30 Maj 2023
8:45
Alfred Lleshi
back button

Siguria e Ligës së Kampionëve të radhës, e arritur një ditë përpara, mund të zhbllokojë merkaton verore të kuqezinjve në aspektin praktik. Milani, tashmë prej disa javësh ka nisur bisedimet për të përforcuar zona të ndryshme të fushës, por ka një emër shumë afër “tymit të bardhë”. Është pikërisht Daichi Kamada, mesfushori sulmues 26-vjeçar, që do të largohet nga Eintracht Frankfurti me skadimin e kontratës. Dmth, mund të merret pa kosto kartoni.

Një emër që qarkullon prej pak kohësh, me raport të shkëlqyer të dukshëm kosto-përfitim, pasi Milani do të jetë përgjegjës vetëm për pagën. Një kontratë 5-vjeçare është gati për japonezin. Për ta afruar edhe më shumë këtë futbollist me nënshkrimin shërbeu siguria e Milanit për të luajtur sërish mes VIPave të Europës, sezonin e ardhshëm.

Në Japoni, disa media, nga gazetat tek agjencitë, e bëjnë marrëveshjen të mbyllur. Media të tjera gjermane, gjithashtu. Në terma praktikë, për të qenë të saktë, ka ende diçka që mungon për “tymin e bardhë” përfundimtar, por asgjë e pakapërcyeshme. Ekziston një optimizëm i përhapur, marrëveshja është praktikisht në vijën e finishit, aq sa në mjedisin kuqezi po flitet tashmë për vizitat mjekësore, që do të planifikohen për javën e ardhshme.

Gjashtë vite pas lamtumirës së Honda, Milanello po përgatitet të mirëpresë një tjetër japonez, i cili ishte opsion joshës për dy arsye: ne kemi përmendur tashmë anën ekonomike, tjetra është funksionaliteti taktik. Kamada mund të mbajë më shumë se një pozicion midis mesfushës dhe vijës së parë.

Një lloj lojtari me shumë role që Pioli i adhuron. Duhet mbajtur mend se koha e zyrtarizimit të tij te kuqezinjtë do të lidhet ndoshta me angazhimet e Eintracht Frankfurtit, i cili të shtunën do të përjetojë aktin e fundit të sezonit me finalen e Kupës së Gjermanisë kundër Leipzig.

Nga ana tjetër, javën e kaluar, i njëjti lojtar iu përgjigj atyre që e pyesnin për të ardhmen: “Ekipi im i radhës? Unë e kam vendosur prej një kohe të gjatë”. Pjesa tjetër u bë e ditur nga renditja e Milanit, siguria matematikore për të luajtur në Ligën e Kampionëve.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit