7-1 i Gjermanisë ndaj Brazilit; historia e një “masakre” të lënë përgjysmë (video)

8 Korrik 2020
12:10
Alfred Lleshi
back button

7-1, në Brazil, nuk është vetëm rezultati i çuditshëm i një ndeshje shumë të çuditshme futbolli. Konsiderohet gjithashtu si pasqyrim i shumë problemeve që ekzistojnë në një shoqëri të ndërlikuar, përfshirë politikën, arsimin, shëndetësinë, shkollimin. Është distanca që ekziston akoma mes pjesës tjetër të botës dhe Europës më të civilizuar sot. Dhe gjithçka fillon prej andej, nga një ndeshje, që është bërë legjendë futbolli.

8 korrik 2014. Një datë, që askush nuk e ka harruar në Brazil. Një makth, nga i cili shumë nuk janë zgjuar akoma. Më keq se Ghiggia më 1950 dhe Paolo Rossi më 1982, dy dëmtimet më të rënda të futbollit, deri më tani, në historinë e Seleção. Fitoja 7-1 e Gjermanisë kundër kombëtares së drejtuar nga Luiz Felipe Scolari ishte shkatërrim e turpërim për një komb të tërë, që e ka fituar më shumë se askush tjetër Kupën e Botës. 5-0 pas më pak se gjysmë ore, 7-0 deri disa minuta nga fundi. Müller, Klose, Kroos, Kroos, Khedira, dhe më pas Schürrle dy herë, përpara “pickimit” të Oscar. Kurrë nuk ishte parë një disfatë e tillë në Botëror, të paktën jo në këto nivele.

Gjëja e çuditshme është se, në një aspekt të asaj gjysmëfinaleje surrealiste, shumë më tepër mund të kishte ndodhur. Gjermania e hoqi këmbën nga gazi. Po të mos e kishte bërë këtë, proporcionet e rezultatit mund të ishin bërë biblike. Një “masakër” e lënë përgjysmë, edhe pse ato 7 gola mund të dëshmojnë të kundërtën. Po sikur çështja e vjetër e respektit në fushë të mos vlente dhe Gjermania të jepte gjithçka deri në sekondën e fundit, çfarë përmasash do të kishte pasur ky turpërim? Duket se gjermanët me vetëdije zgjodhën ta ngadalësonin hapin.

“E qartë, – tha Per Mertesacker, i cili hyri në vendin e Hummels, pas pushimit. – Ne shënuam 5 herë në 29 minutat e para dhe ishte një shok për të gjithë. Diçka pozitive për ne, negative për Brazilin. Ne ndiheshim keq për ta, gjithçka shkoi kaq perfekt për Gjermaninë. Ja pra që ndodhka edhe kështu, që të ndjeheni keq për kundërshtarin tuaj”.

“Gjatë pushimit, – kujton Philip Lahm, – kemi diskutuar nëse duhet të vazhdojmë të luajmë normalisht. Ne nuk donim që të merrte përmasat e një fitoreje tenistike, nuk ishte qëllimi ynë të përqeshnim Brazilin. Qëllimi ynë më i madh ishte t’i respektonim ata”.

Sidoqoftë, për trajnerin e Gjermanisë, Joachim Löw, siç thuhet nga Sami Khedira, nuk ekzistonte kjo dhembshuri: “Ai na tha: Fantastike, por nuk ka mbaruar akoma. Nëse shoh që dikush i toleron brazilianët, do ta zëvendësoj menjëherë. Trajneri donte ta shuante plotësisht euforinë tonë para finales së madhe”.

Edhe sipas ish-portierit zikaltër, Julio Cesar, i cili, mjerisht, në Brazil mbahet mend mbi të gjitha për faktin se ishte “portieri i 7-1”, Gjermania ishte e kujdesshme të mos zemërohej ndaj një kundërshtari të vdekur dhe të varrosur, pa yllin Neymar: “Kishte një veprim në të cilin Ozil e humbi një gol vullnetarisht. Nuk e di nëse ka qenë e vërtetë, por kam pasur këtë ndjenjë. Ai erdhi te porta dhe e gjuajti topin jashtë. Schweinsteiger e qortoi atë dhe unë mendova: Çfarë djali kur**…, ata po fitojnë tashmë 7-0”.

Mbeten në memorien e kujtdo komentet e pamëshirshme më pas, që nuk kursyen trajnerin Scolari, sulmuesin e qendrës, Fred, lotët e David Luiz dhe, gjithashtu, të gazetarëve vendas. Vitet kalojnë, por ato janë dhe do të mbeten gjithnjë 7 golat e Gjermanisë. Pjesërisht, shumë pjesërisht, ky turpërim i Brazilit u shlye në një ndeshje miqësore të luajtur në Gjermani, në mars 2018, e fituar 1-0 nga pesë herë kampionët e botës, falë një goli të Gabriel Jesus. Ai që 4 vite më parë pikturonte rrugët e San Paolo, në prag të ngjarjes së madhe. Pa e imagjinuar se do të luante një rol shumë të vogël në një nga tri tragjeditë kryesore sportive në vend.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit