900 milionë euro për çdo klub, zbulohen shifrat e Superligës së Europës

22 Mars 2019
17:46
Denis Hakanaj
back button

"El Partidazo", emision i "Cadena Cope", ka zbuluar shifrat e Superligës, ideja e fundit e European Club Association (ECA) dhe UEFA-s. Çdo klub do të merrte një kuotë fikse prej 900 milionë eurosh për pjesëmarrjen në këtë kompeticion. 

Kësaj shume më pas do t'i shtohen shpërblime të tjera në bazë të rezultateve dhe ndarjes së të ardhurave nga të drejtat televizive. Superliga e Europës është një format i ri dhe shumë ambicioz në aspektin ekonomik, gati për të ndryshuar zakonet e tifozëve. 

Në fakt, nëse ky projekt do të kthehet në realitet, ndeshjet e kampionateve do të luhen të mërkurave, ndërsa ato të Superligës në fundjavë. Gjithsesi, jo të gjithë janë të bindur se kjo ide është realizueshme. 

Sipas presidentit të Mediapro, Jaume Roures, ekspert me famë botërore në tregun e të drejtave televizive, një shpenzim i tillë do të ishte i papërballueshëm: "Është e pamundur të paguhen 900 milionë euro për çdo skuadër, sepse nuk ka para të mjaftueshme", ka thënë ai. 

"Më duket absurde që kjo gjë të ndodhë. Do të ishte e mundur vetëm nëse do të ndërpriteshin të gjitha kampionatet kombëtare dhe të gjitha burimet të shkonin për Superligën. Edhe në këtë rast nuk e shikoj të mundur". 

Shoqata e Kampionateve të Europës (EPFL) i ka prishur marrëdhëniet me presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin, sepse mendojnë se "Ceferin është përulur para Andrea Agnelli-t (presidenti i ECA-s, Shoqata e Klubeve Europiane), duke u frikësuar nga ideja se klubet e mëdha të Europës do të organizonin një Champions të tyren". 

"Der Spiegel" ka zbuluar idenë bazë të Superligës duke u bazuar te dokumentet e publikuara nga "Football Leaks". Klubet që qëndrojnë mbrapa këtij projekti janë gjashtëmbëdhjetë, të cilët ndahen në klube themelues (Real Madrid, Barcelona, Manchester United, Manchester City, Liverpool, Chelsea, Arsenal, Bayern Munich, PSG, Juventus dhe Milan) dhe klube të ftuar (Atletico, Borussia Dortmund, Marseille, Inter dhe Roma). 

Superliga do të kishte dy faza: e para me grupe, e dyta me eliminim direkt. Mund të krijohet edhe një kategori e dytë. Projekti ka përparuar dhe tani po kërkohet një ortak i fuqishëm nga Amerika, që është Relevent Sport, kompania që ka negociuar me Javier Tevas, presidenti i La Liga-s, organizimin e Girona-Barça në Miami. 

Prania e klubeve të mëdha të International Champions Club (ICC) i ka dhënë mundësinë Charles Stillitano, këshilltar i Relevent Sports, që të bëjë një sondazh me klubet. ECA e shikon 2024-ën si afatin e fundit për të nisur Superligën dhe të martën ka organizuar një mbledhje në Amsterdam për t'i dhënë një shtysë tjetër planit të saj: një projekt ambicioz që, nëse do të realizohet, do të revolucionarizonte futbollin. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit