Rikthimi në Spanjë është vetëm një hipotezë për momentin, por në zonën klubin e Manchester City janë të bindur se do të duhet të lëvizin shpejt për “ta blinduar” një pikë referimi si Rodri. Sipas asaj që raportohet nga tabloidi anglez “Mirror”, synimi i “qytetarëve” është të gjejnë një marrëveshje rinovimi për të shmangur sulmet nga Real Madridi, i cili javët e fundit ka ëndërruar mesfushorin në fjalë spanjoll për të zëvendësuar Toni Kroos.
Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola dëshiron t’ia dyfishojë pagën mesfushorit iberik për ta bindur të qëndrojë në Premier League. Një rritje e rëndësishme financiare, pra, që do ta bënte Rodri ndër futbollistët më të paguar në skuadrën e “qytetarëve”, së bashku me Kevin De Bruyne dhe Erling Haaland.
Kontrata aktuale i skadon në vitin 2027, por drejtuesit e klubit nga “Etihad” kanë vendosur ta çojnë përpara afatin për të shmangur çdo sulm nga “Los Blancos”, të “uritur” në merkato pas ardhjes së Mbappe dhe fitores së Superkupës së Europës kundër Atalantës.
Carlo Ancelotti, në fakt, është në kërkim të një mesfushori të ri pas lamtumirës së Toni Kroos, ndaj nuk përjashtohet që t’i kërkojë klubit të bëjë përpjekje të mëtejshme. Ndërkohë, Rodri nuk mund të ishte i disponueshëm për debutimin e Premier League kundër Chelsea. “Ndeshja” e tij më e rëndësishme do të luhet jashtë fushës, me të ardhmen për t’u deshifruar ende.