Gianluca Zambrotta, një nga emrat e mëdhenj, që ka veshur fanellën e të dyja skuadrave, Milanit dhe Juventusit, ka analizuar përballjen e ardhshme mes këtyre dy gjigantëve në “San Siro”. E bëri këtë përmes një interviste për “Gazzetta dello Sport”.
Zambrotta theksoi rëndësinë e vazhdimësisë për skuadrën e Paulo Fonseca: “Pse Milani është kaq mbrapa në kampionat? Sepse I mungon vazhdimësia. Një skuadër që synon titullin duhet të jetë më konstante, të dijë të fitojë edhe ndeshjet ‘e pista’. Nuk shoh fajtorë individualë, por përgjegjësi kolektive, sidomos në fazën mbrojtëse. Gjithsesi, tani duket se kuqezinjtë e kanë gjetur disi ekuilibrin.
A mund të luftojë ende Milani për titullin? Absolutisht po. Gjashtë skuadrat e kreut janë ende aty-aty, shumë pranë njëra-tjetrës. Pastaj, Milani ka një ndeshje më pak, të prapambetur. Ka ende kohë për të rikuperuar”.
Duke folur për aventurën në Europë të Milanit dhe Juventusit, Zambrotta tha: “Kualifikimi nga faza e grupeve është minimalja, duke marrë parasysh cilësinë e skuadrave. Arritja në çerekfinale? Pse jo”.
Zambrotta parashikon një betejë spektakolare nga krahët mes Milanit dhe Juventusit: “Do të jetë një sfidë e shkëlqyer në krahë. Theo dhe Leao janë një dyshe që sjellin shumë krijimtari, ndërsa Conceiçao dhe Pulisic po kalojnë një moment të shkëlqyer, e njëjta gjë vlen edhe për Cambiaso. Kjo përballje do të jetë shumë intriguese dhe mund të vendosë ndeshjen”.