Real Madridi ka nevojë për të gjithë futbollistët e tij, si ata që mund të luajnë, ashtu edhe ata që jo, për të menduar se si të formësojë një tjetër mrekulli europiane. Ancelotti i dëshiron të tijtë në formë të plotë fizike dhe mendore. Për atë fiziken supozohet se është punuar gjatë gjithë sezonit, ndërsa për atë mendoren, objektivi është që çdo incident apo problem të largohet menjëherë nga mendja.
Duke filluar me Mbappé, me të cilin, që nga momenti kur u përjashtua me karton të kuq ndaj Alavés, po punohet në nivelin më të lartë, që të lërë pas atë që ndodhi, ose më mirë të thuhet, atë që e çoi të sillet në një mënyrë aq të kundërt me mënyrën si e kupton futbollin.
Përmbysja ndaj Arsenalit (3-0) kalon nga të gjithë dhe në këtë mision janë përfshirë që nga Florentino Pérez e deri te Carlo Ancelotti, pa harruar as punonjësin e fundit të klubit. Real Madridi ka nevojë për versionin më të mirë të të gjithëve, por në mënyrë të veçantë të Mbappé, për atë që është dhe çka përfaqëson për klubin e bardhë.
Për këtë arsye i është bërë e qartë francezit se kanë nevojë për versionin më të mirë të tij si sulmues. Të mërkurën në mbrëmje shpresohet të shihet ai Mbappe, që magjepsi gjithë botën dhe, me fanellën e bardhë, u pa i plotë ndaj Manchester City, duke shënuar 3 gola; pikërisht aq sa duhen për të ëndërruar një tjetër mrekulli në “Santiago Bernabéu” ndaj Arsenalit.
Mbappé kërkoi falje fillimisht tek shokët e skuadrës, për faktin që i la me një lojtar më pak, më pas e bëri këtë edhe tek i prekurit direkt. Antonio Blanco e pranoi ndjesën e francezit, por te Real Madridi besojnë se kaq nuk mjafton. Sulmuesi francez duhet të ndihet i mbështetur dhe i përkrahur, edhe pse kjo nuk do të thotë se veprimi i tij justifikohet.
Tani është momenti për të rikuperuar, ose të paktën për të tentuar, versionin më të mirë të ish-lojtarit të PSG-së. Koha për analizën e asaj që ka bërë në sezonin e parë si lojtar “i bardhë” do të vijë në fund të sezonit. Presidenti dhe trajneri po kërkojnë motivimin e duhur që ai të fokusohet vetëm te futbolli dhe jo te situatat përreth, që i shkaktojnë momente si ai në “Mendizorroza”.
32 gola dhe 4 asistime
Mbappé mbërriti te Real Madridi me objektivin për të qenë vendimtar, për të fituar Champions League, por realiteti tregon se pavarësisht statistikave të mira (32 gola dhe 4 asistime), ai ka pasur momente dobësie. Pikërisht ato momente me të cilat po lufton tani Real Madridi, që të mos kthehen në “fantazma” në ndeshjen më të rëndësishme që ka luajtur deri tani me fanellën e bardhë.
Në disa momente të sezonit, Mbappé ka kaluar situata delikate, por gjithmonë ka arritur të ngrejë kokën, me mbështetjen e klubit, trajnerit dhe shokëve të skuadrës. I është kujtuar se ky është Real Madridi dhe përgjigjja e tij ka qenë gjithmonë pozitive ndaj thirrjeve të klubit. Florentino Pérez udhëtoi me skuadrën dhe ishte pranë lojtarëve, me një mesazh të veçantë për francezin.
Trajneri e pranoi në konferencë për shtyp se vlera e Mbappé qëndron te golat, foli edhe për faktin nëse vrapon apo jo, por më pas kërkoi përkushtim si prej tij, ashtu edhe nga të tjerët. Kjo nuk do të thotë që ai duhet të vrapojë nga minuta e parë në të fundit në çdo ndeshje, por duhet të ndikojë me golat.
Tani, ajo që i ka kërkuar klubi është të harrojë dhe të lërë pas të gjitha problemet. Sfida që i është vënë përpara është të fitojë Champions League. Dhe kjo kalon nga përmbysja e Arsenalit dhe lënia pas e turpërimit të pësuar në “Emirates”.







