A do të kthehet të duelojë më Khabib? Rusi merr vendimin përfundimtar

21 Nëntor 2020
14:08
Alfred Lleshi
back button

Meqenëse Khabib Nurmagomedov njoftoi pensionimin e tij, pasi mposhti amerikanin Justin Gaethje dhe kështu zgjati serinë e triumfeve të tij të pabesueshëm (29-0), thashethemet rreth kthimit në “ring” nuk kanë pushuar. Që nga menaxheri i rusit te Dana White, presidenti i UFC, kanë pohuar se është e mundur që ai të kthehet në “tetëkëndësh”, pavarësisht nga fakti se vetë kampioni tha se nuk do ta bënte më atë. Këtë herë ishte vetë Khabib, ai që i ka larguar totalisht dyshimet.

“Nuk kam ndërmend ta vazhdoj luftën, – pranoi rusi. – Gjithmonë do të ketë zëra për kthimin tim, sepse Dana White ose promovues të tjerë që mund ta zëvendësojnë atë në të ardhmen do të duan që unë të dyluftoj”. Khabib ka këmbëngulur se e ka humbur dëshirën për të garuar dhe synon të përqendrohet në karrierën e tij jashtë “tetëkëndëshit”: “Sigurisht që jam në gjendjen time më të mirë dhe ende mund të fitoj shumë para, por kam një qëllim tjetër. Dhe sa iu përket parave…, tani e tutje do t’i fitojmë diku tjetër”.

Duket se ai e ka mjaft të qartë të ardhmen, edhe pse jo ambienti rrethues i tij, veçanërisht Dana White, i cili vetëm një javë pas njoftimit të pensionimit filloi të thoshte me bindje se Khabib do të kthehet për një duel me numrin 30. Ai madje po konsideron kundërshtarët e mundshëm. Shefi i UFC-së bazohet në dëshirën e babait të luftëtarit, i cili ndërroi jetë në korrik nga koronavirusi: “Babai i tij donte që Khabib të shkonte 30-0 dhe unë mendoj se ai dëshiron ta përmbushë atë dëshirë”.

Por, Khabib këmbëngul se karriera e tij ka mbaruar për mirë, sepse nuk ka askënd tjetër atje, që mund ta mposhtë: “Qëllimi im ishte të arrija majën dhe e bëra këtë. Ju mund të luftoni sa të doni në ring, por duhet të keni një qëllim. Unë e kam përmbushur qëllimin timin si kampion bote. Dua të diplomohem vitin e ardhshëm, të bëj sa më shumë progres sa i përket arsimimit tim. Kam lopë dhe dema, i jam përkushtuar plotësisht jetës prej bujku. Dua të bëj atë për të cilën jam më i dobishëm”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit