A e shpëton Kupa sezonin e Kukësit? Shehi befason me përgjigjen

1 Korrik 2020
11:49
Alfred Lleshi
back button

Kukësi duket se i ka dorëzuar armët në garën për titull, ngaqë bardheblutë nuk po i japin asnjë mundësi për ta ngushtuar distancën prej 9 pikësh me vendin e parë. Kjo e bën edhe më të domosdoshëm suksesin në kompeticionin tjetër kombëtar, që të mos dilet pa trofe nga ky sezon. Gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë e kanë vendosur skuadrën e Orges Shehit kundër qytetit të tij. Më konkretisht, kundër Teutës së vendlindjes. Një kundërshtar me mjaft potencial, që e ka treguar më së miri vetën pas rifillimit të kampionatit. Duke folur për kanalin zyrtar të klubit, para kësaj ndeshjeje të rëndësishme, Shehi do të nënvizonte ndër të tjera:

“Ndeshja e parë gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë është mjaft e rëndësishme, sepse luhet mes dy skuadrave që janë në pjesën e sipërme të klasifikimit të kampionatit. Dy skuadra që kanë ambiciet e tyre. E kam parë kundërshtarin, që po bën mirë kohët e fundit. Pra, është një ndeshje e rëndësishme dhe mendoj se e kemi përgatitur në mënyrën e duhur, duke pasur parasysh që nuk mbaron asgjë nesër, por ka edhe një ndeshje kthimi.

Nesër, është më e rëndësishme të shënosh apo mos të pësosh? Për mua, e rëndësishme është të jesh i kujdesshëm, të jesh në ekuilibër, duke pasur parasysh që nuk mbaron nesër çështja e kualifikimit për në finale. Janë të rëndësishme të dyja fazat e lojës.

Gjendja fizike e skuadrës? Patjetër që kemi vështirësi, duke luajtur çdo tri ditë. Skuadra ka ngarkesë, pasi është po ai grup lojtarësh, vetëm me dy apo tri ndryshime. Jemi munduar që të alternojmë forcat në fushë për të pasur një kontigjent që iu përgjigjet të dy kompeticioneve, Kupës dhe kampionatit. Kështu, këto ditë jemi munduar ta riaftësojmë skuadrën për nesër.

A është Kupa shpëtimi i sezonit? Unë jam trajner dhe kam për detyrë të fitoj çdo ndeshje. Pra, e përgatis skuadrën për të fituar çdo ndeshje. Nuk jam zyrtar i klubit për të thënë nëse Kupa është shpëtimi i sezonit apo jo. Trajneri flet për ndeshjen në anën teknike. Është një trofe i rëndësishëm për ne. Si në Kupë, edhe në kampionat do luftojmë fort, derisa të mos kemi mundësi, sidomos në kampionat, ku është edhe matematika në mes. Kurse në Kupë janë dy ndeshje që të çojnë në finale, ndaj kanë vlerësimin e duhur nga ne”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit