A mund të largohet Conte nga Interi? Marotta i vendos “vulën” gjithçkaje

14 Korrik 2020
10:01
Alfred Lleshi
back button

Interi mori një fitore themelore kundër Torinos, duke siguruar pikë të rëndësishme për t’u rikthyer në vendin e dytë të Serie A. E bëri këtë pa Lukaku, Eriksen dhe Skriniar. Në prag të kësaj ndeshjeje, Giuseppe Marotta foli për zgjedhjet e Conte, duke shpjeguar se ato diktoheshin nga intensiteti i ndeshjeve dhe jo nga vlerësimet teknike: “Ka vlerësime subjektive nga trajneri. Ne luajmë çdo tri ditë, është normale të bëjmë rotacion, duke pasur parasysh kushtet në të cilat po luajmë”.

Tema e fundjavës ishte Brozovic, të cilit iu hoq patenta e shoferit pas testit pozitiv të alkoolit. Drejtori i përgjithshëm zikaltër kërkoi respekt për pjesën tjetër të grupit: “Na vjen keq, por duhet t’i menaxhojmë edhe këto gjëra. Përtej gjobës, të gjithë duhet të kuptojnë se kanë përgjegjësi edhe përmes jetës private. Duhet të ekzistojë ndjenja e respektit për grupin dhe për jetën private. Këto gjëra nuk duhet të ndodhin, por kur bëhen realitet, atëherë duhet të merremi me to, t’i vlerësojmë”.

Ekziston edhe një konfirmim i besimit për Antonio Conte, pasi ditët e fundit ka pasur zëra që e shihnin atë larg pankinës zikaltër: “Qëllimi i Conte ishte forcimi i grupit dhe përmirësimi i situatës. Ne kemi sukses dhe vetëm mund të jemi të kënaqur. Maksimumi nuk ekziston, ne mund të përmirësohemi gjithmonë. Conte e di këtë, puna deri më tani ka qenë e shkëlqyeshme. Duam të përmirësohemi ende, për t’u afruar me Juventusin. Unë besoj se nuk do të ketë ndryshime në stol, klubi është mjaft i kënaqur me trajnerin”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit