Abakarov i jep Shqipërisë medaljen e bronztë në botërorin e Beogradit, zhgënjejnë Dudaev e Kerepi

18 Shtator 2023
20:34
Telesport
back button

Mundësi shqiptar Zelimkhan Abakarov ka siguruar medaljen e bronzit në peshën 57kg, në Botërorin që po zhvillohet në Beograd të Serbisë. Kjo është medalja e dytë që rusi me nënshtetësi shqiptare i jep vendin tonë, pas të artës së një viti më parë.

Një tjetër paraqitje e shkëlqyer e Abakarov, që sot duelonte për medaljen e bronztë ndaj Zavur Uguev, që garonte si i pavarur. Dueli u fitua nga mundësi kuqezi, që ngjitet kështu sërish në podium dhe i afrohet kualifikimit për në “Paris 2024”.

Një ditë më parë, Abakarov arriti tri fitore radhazi, por u ndal në gjysmëfinale, duke mos shkuar dot në finale, për të artën. Gjithsesi, medalja e bronztë është një tjetër triumf i shkëlqyer i mundësit shqiptar.

Në peshën 65kg, mundësi shqiptar Islam Dudaev u eliminua që në duelin e parë. Rusi me pasaportë shqiptare u mund 9-2 nga japonezi Otoguro Takuto. Për pasojë, aventura e Dudaev, nga i cili pritej shumë në këtë turne, u mbyll që në start.

Po kaq shpejt është mbyllur edhe aventura e mundësit tjetër shqiptar pjesëmarrës në botëror, Paris Kerepi. Në turin kualifikues të peshës 125kg, ai u mund 11-1 nga Áiaal Lazarev i Kirgistanit, duke u eliminuar shumë herët nga gara.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit