Ademi: Vllaznia po i lumturon shkodranët në këto kohë të vështira

24 Nëntor 2020
9:35
Alfred Lleshi
back button

Vllaznia kryeson Superioren me meritë, duke lumturuar tërë shkodranët, që tashmë janë mbledhur më shumë se kurrë rreth saj, edhe pse nuk kanë mundësinë të jenë në stadium. Klubi kuqeblu i futbollit po shkon edhe drejt privatizimit, sikurse e kërkon me detyrim ligji I ri për sportin. Kryebashkiakja Voltana Ademi, në një lidhje direkte me misionin “Pressing” në ABC, hodhi dritë më shumë rreth këtij procesi që ka nisur dhe finalizohet shpejt. E nisi nga fitorja me Tiranën, në fakt:

“Ka qenë një nga ndeshjet më të bukura që kam parë. Jam lumturuar më shumë për tifozët. Dëshira ishte të kishim tifozë në stadium, do të ishte plot. Jam i lumtur për atë që ka ndodhur në shtëpitë e shkodranëve dhe në ndonjë bar. Këtë sezon ekipi ka bërë ndeshje të mira, kjo me Tiranën ishte shumë e bukur.

Kjo situata e pandemisë nuk e ka kufizuar futbollin, përkundrazi e ka penalizuar. Futbolli ka kuptim me tifozë. Jemi munduar ta mbështesim Vllazninë. Ka pasur tifozë jashtë stadiumit që mbështesnin ekipin. Pandemia ndikon te të gjitha klubet, edhe financiarisht. Uroj të hapen sa më shpejt dhe futbolli të marrë frymë.

Privatizimi? Në momentin që flasim jemi në prag të një vendimmarrjeje të rëndësishme. Të premten kemi gati projektvendimin për nxjerrjen e klubit në shitje. Kështu i hapet rruga konkurrimit. Nëse ndodh, në dhjetor hapim konkurrimin direkt për privatizimin. Nëse bashkohen fuqitë, impakti është më i madh, angazhohen më shumë njerëz dhe arrihen rezultate.

Jemi në një moment kyç. Ose të privatizohet shpejt klubi, ose të japim para për financimin e klubit. Duhen bërë të dyja në fakt, pasi procedura zgjat. Në janar kemi parashikuar 600 milionë të vjetra për Vllazninë. Normalisht do të shoqërohet procesi i shitjes. Duhet ta shoqërojmë me mbështetje. Edhe pas shitjes duhet ta mbështesim, pasi është e domosdoshme me infrastrukturën që kemi. Do t’ia lëmë në dispozicion ato, fushat dhe stadiumin.

Titulli? Është herët të themi kush e fiton kampionatin. E dimë shumë mirë që ka edhe shumë ndeshje. Jemi herët. E kam parë Vllazninë në vend të katërt në fazën e tretë dhe pastaj ka shkuar nga fundi. Duhet marrë çdo gjë hap pas hapi. Besoj te puna e stafit dhe ajo që bëjnë lojtarët. Ta shohim pas hapi. Ndryshe nga vitet e tjera shoh një ekip të vërtetë, ndihmojnë njëri-tjetrin në fushë dhe jashtë. Normalisht është edhe emri, por duhet puna dhe serioziteti”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit