Afrimet e reja dhe stili i lojës, Reja premton surpriza me Shqipërinë

19 Maj 2019
10:24
Eraldo Harlicaj
back button

Trajneri i kombëtares, Edy Reja, ishte i pranishëm në ndeshjen ndërmjet Tiranës dhe Kastriotit. Numri një i stolit i ekipit tonë kombëtar ishte i shoqëruar nga ndihmësit e tij Hamdi Salihi dhe Ervin Bulku në stadiumin "Selman Stërmasi". Ai qëndroi për 90 minuta, ndërsa sigurisht nuk doli i kënaqur nga niveli i lojës dhe intelektual i shfaqur në tribunën VIP të stadiumit të kryeqytetit. 

Reja foli para ndeshjes për mikrofonin e Top Channel ku sqaroi situatat aktuale në kombëtare dhe risitë që do të kenë kuqezinjtë me të në krye. “Duhej t’i njihja më parë lojtarët, sepse nuk kemi pasur kohën e duhur. Tani që jemi këtu duhet të njoh të paktën fytyrat, sepse mund të jenë 25 lojtarë ose 28 dhe ne kemi shumë pak kohë në dispozicion. Kështu që duhet të fillojmë të krijojmë ide të qarta”. 

73-vjeçari tregoi dhe listën e lojtarëve që po ndjek. Aktualisht ai ka 32-33 futbollistë që po sheh, ndërsa do të ketë dhe afrime të reja. “E kam një listë me 32-33 futbollistë, por është e qartë se më të favorizuarit janë ata që aktivizohen më shumë, sepse kemi nevojë për ata që janë në gjendjen më të mirë fizike. Do të mbaj grupin aktual të lojtarëve, por padyshim që do të ketë edhe prurje të reja, sidomos të atyre lojtarëve të rinj që po i studioj. Më pas do të vendosim në një moment të dytë”. 

Italiani nuk i mëshon idesë së Panuccit për stilin e lojës në sulm. Ai tregohet i qartë dhe realist kur tregon se skuadra për të sulmuar duhet të ketë elementët e duhur. “Të gjithë presin që skuadra të luajë në sulm dhe unë jam një prej tyre, por për këtë duhen elementët e duhur që duhet të marrësh në konsideratë. Gjithashtu duhet vlerësuar edhe kundërshtari që ke përballë”, përfundon Reja.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit